Pista të reja hetimi janë hapur lidhur me vrasjen e dy shqiptarëve, Armando Organaja dhe Kreshnik Çerçizaj brenda një lokali në Athinë. Ekipi i DIAS ka hetuar vende të ndryshme për ngjarjen e ndodhur në Nea Smyrna.
Sipas hetimeve, autori që ekzekutoi dy shqiptarë mund të jetë i njëjti që më herët, në maj të vitit 2021 ka ekzekutuar 34 vjeçarin Aris Papa brenda një lokali në Athinë. Ndërkohë ditë më parë mediat greke e lidhën vrasjen e Armando Organajës dhe Kreshnik Çerçizajt me ekzekutimin e Edmond Papës 9 ditë më parë në Tiranë. Sipas hetimeve, dyshohet se ekzekutimet kanë ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve të trafikut të drogës mes grupeve rivale, duke qenë se Edmond Papa ishte dënuar më parë në Greqi për trafik droge.
Sipas “To Vima” dyshohet se urdhri për vrasjen e një javë më parë të jetë dhënë nga shqiptarë që ndodhen në burgjet e Greqisë jugore dhe që janë të dyshuar edhe me parë për ngjarje të tilla të ngjashme.
Ende nuk dihet nëse Edmond Papa i ekzekutuar në 16 dhjetor të këtij viti në Tiranë ka ndonjë lidhje familjare me shqiptarin Aris Papas i cili u vra me breshëri plumbash në 30 maj të vitit të kaluar brenda një lokali në Athinë. Një tjetër detaj nga të gjitha këto ekzekutime, është fakti se janë kryer në lokale dhe ndaj viktimave është qëlluar me breshëri plumbash.
Një tjetër pistë hetimi është edhe ajo se Edmond Papa dhe dy shqiptarët e ekzekutuar në Athinë ishin pjesë e të njëjtit grup të trafikut të drogës dhe se i njëjti person mund të ketë urdhëruar vrasjen e tyre në rrethana të ngjashme si në kryeqytetin grek po ashtu edhe në Tiranë.