ITALI - Serie A e futbollit zhvilloi këtë të dielë katër nga ndeshjet e raundit të 34-t. Milani dhe Juventusi barazuan pa gola në kryendeshjen e kësaj fundjave, ndërsa Interi u ndal në barazim 2-2 në Torino, por zikaltërit janë me ‘një dorë’ te titulli kampion në Itali.

Në ‘San Siro’ Milani dhe Juventusi patën frikë të sulmonin me të gjitha forcat dhe ndeshja u mbyll me rrjeta të paprekura (0-0). Vlen të theksohet një gol i anuluar për ‘Zonjën e Vjetër’, i shënuar nga Thuram në minutën e 36-të. Francezi ishte në pozicion jashtë loje pas konfirmimit nga VAR-i.

Në pjesën e dytë Saelemaekers goditi traun e portës për Milanin. Më i miri në fushë ishte mesfushori i Juves, Manuel Locatelli. Dhjetë minuta në fundin e ndeshjes mori edhe Edon Zhegrova. Për të katërtën herë në pesë ndeshjet e fundit, Milani dhe Juventusi barazojnë pa gola.

Në Torino, vendasit ndalën 2-2 Interin. Zikaltërit kaluan në epërsi në minutën e 23-të, kur Marcus Thuram realizoi me kokë pas një harkimi të saktë nga Federico Dimarco. Në pjesën e dytë Interi e thelloi avantazhin me Yann Bisseck.

Torino reagoi shpejt dhe rihapi garën në minutën e 70-të. Giovanni Simeone realizoi një gol të bukur me parabol për 1-2. Nikola Vlasic ishte i saktë nga pika e bardhë në minutën e 79-të, duke barazuar në 2-2 me një goditje të fuqishme në këndin e sipërm të portës.

Në ndeshjet e tjera të ditës, Fiorentina dhe Sassuolo barazuan 0-0, teksa Como fitoi 0-2 në Genoa.

Katër raunde nga fundi i sezonit, Interi kryeson renditjen me 79 pikë, dhjetë më shumë se ndjekësit e Napolit. Me shumë gjasë raundin që vjen zikaltërit do zyrtarizojnë titullin e 21-të në histori.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 25 Prill, 21:24

    A duhet që seancat në GJKKO të transmetohen live për publikun?