Renato Mhillaj ishte vetëm 13 vjeç kur i ati, Genc Mhillaj iu vra me armë zjarri. I rritur me ndjenjën e hakmarrjes, 10 vite më vonë, së bashku me dy kushërinjtë e tij Adriano Mhillaj 22 vjeç dhe Florin Mhillaj 36 vjeç, morën hakun duke ekzekutuar çiftin Kreshnik dhe Gentjana Mujecin. Të tre janë shpallur në kërkim nga policia.
Për të kryer krimin, 3 autorët e dyshuar përdorën 2 automjete, një “Audi A4” e përdorën për të survejuar shënjestrën ndërsa me tjetrin “Volkswagen” i prenë rrugën ‘Audit’ ku po udhëtonte Kreshniku me bashkëshorten e duke zbrazur në drejtim të tyre armët e zjarrit. Në vendngjarje janë gjetur rreth 30 gëzhoja.
Sipas burimeve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, e gjithë ngjarja ka zgjatur pak më shumë se një minutë. Autorët, të cilët nuk mbanin maska, kanë vepruar me gjakftohtësi të plotë gjatë ekzekutimit. Pasi i kanë zënë pritë mjetit tip “Audi” ku udhëtonin viktimat, dy prej autorëve kanë zbritur nga makina dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash nga një distancë e afërt.
Dyshohet se Kreshnik Mujeci së bashku me kushëririn e tij Jozef Mujecin, vranë Genc Mhillajn, pas një konflikti për motive të dobëta, por kjo çështje mori kthesë në gjykatë. Më 27 nëntor 2018, Shkalla e Parë e Gjykatës së Shkodrës i shpalli të dy të pafajshëm për vrasjen. Gjykata e Apelit Shkodër më 6 nëntor 2019 vendosi të mos pranojë ankimin e prokurorisë për vendimin e Shkallës së Parë. Gjykata e Lartë nga ana tjetër e ktheu çështjen për rigjykim në Apel më 31 tetor 2024.
Deklarata e plotë e drejtorit të Policisë Lezhë Arben Nasufi
Faleminderit për praninë tuaj sot, për të përcjellë te qytetarët, rezultatin e angazhimit maksimal të strukturave të Policisë, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Balldren, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, çifti i bashkëshortëve, shtetasit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.
Më datë 26.04.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Balldren-Torovicë”, nga shtetas të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Kreshnik Mujeci.
Me marrjen e njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ato të emergjencës.
Për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda të DVP Lezhë, Departamentit të Policisë Kriminale, si dhe ekspertët më të mirë kriminalistë, të cilët në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe një sërë veprimesh të tjera me metoda proaktive, në funksion të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë ligjor të saj.
Hetimet kanë vijuar me këqyrjen dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”.
Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve:
-A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë.
Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volksëagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje.
Hetimet vazhdojnë në mënyre intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim.
Operacioni vijon në terren, ku janë përshirë Forcat Speciale “RENEA”, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim lokalizmin dhe kapjen e tyre.
Gjithashtu, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe të armëve të zjarrit që janë përdorur për të kryer vrasjen.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë është maksimalisht e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe në këtë kuadër fton qytetarët, që të besojnë dhe të mbështesin më shumë strukturat policore, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Genc Mhillaj
Adriano Mhillaj 22 vjeç, Renato Mhillaj 23 vjeç dhe Florin Mhillaj 36 vjeç janë 3 personat e identifikuar nga policia, të dyshuar si autorë të vrasjes së Kreshnik dhe Gentjana Mujecit dje në fshatin Balldren.
Renato Mhillaj është djali i Genc Mhillajt ndërsa Adriano dhe Florin janë dy nipat e tij. Genc Mhillaj është vrarë në vitin 2016 ndërsa si autor është akuzuar Kreshnik Mujeci së bashku me kushëririn e tij Jozef Mujeci.
Komente









