SERBI- Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç i cilësoi rrethanat gjeopolitike më të këqijat në 15 vitet e fundit, në përgjigje të disa deputetëve të opozitës për dialogun me Kosovën. Ai tha se Serbia është në rrugën evropiane, por e refuzon NATO-n për të ruajtur neutralitetin e ushtrisë serbe.
Deputetët e Kuvendit të Serbisë vijuan në të dytën ditë radhazi diskutimet e Raportit të qeverisë për negociatat me Prishtinën. Presidenti Aleksandar Vuçiq tha se prioriteti i tij janë interesat e vendit dhe se rrethanat aktuale nuk janë në favorin e Serbisë.
“Nuk do të negocioj kurrë për hir të qëndrimit në pushtet, jam i interesuar për mbijetesën dhe përparimin e Serbisë. Rrethanat nuk po funksionojnë në favorin tonë, unë nuk jam pro një konflikti të ngrirë, përkundrazi”.- tha Vuçiç
Vuçiç, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, theksoi se Serbia është në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por jo drejt integrimit Atlantik.
"Serbia është në rrugën evropiane dhe për sa i përket integrimit Atlantik, Serbia nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO. Serbia dëshiron të ruajë me xhelozi neutralitetin e saj ushtarak dhe ta forcojë atë. Ka një ndryshim midis integrimit evropian dhe integrimit Atlantik," theksoi presidenti.
Ai u ndal edhe në qasjen ndaj Rusisë, duke thënë se e respekton Moskën, por i shërben vetëm Serbisë, dhe asnjë shteti tjetër.
Kujtojmë se ditën e djeshme, u zhvillua një seancë plenare e jashtëzakonshme në Prishtinë dhe Beograd, ku në secilin parlament ushtrohej presion nga opozita lidhur me dialogun mes dy vendeve. Kryefjalë në Kuvendet e secilit shtet, dy liderët e vendeve, Kurti në Kosovë dhe Vuçiç në Serbi dhanë llogari për ecurinë e dialogut, prishtmëritë por edhe se çfarë pritet nga plani franko-gjerman. Qysh në krye të herës, Kurti ka qenë kundër asociacionit, ndërsa për herë të parë, dje ka ndryshuar komplet strategjinë, nëse kemi të bëjmë me një strategji, pasi sipas Presidentit Vuçiç, për dialogun ka një presion të madh nga ndërkombëtarët. Kreu i shtetit serb, bëri me dije se nuk e ka plotfuqinë apo tagrin e duhur të propozojë plotësisht planin franko-gjerman. Një arsye supozohet të jetë mungesa e guximit, siç citohet të ketë thënë në sallën e Kuvendit dhe arsyeja e dytë, pasi ka një presion nga ndërkombëtarët që ky plan të jetë ende në copa të vogla deri në një moment të dytë. Deri më tani janë publikuar vetëm 9 pika zyrtarisht.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç thotë se kërkesat e Albin Kurtit për Asociacionin janë tallje me ndërkombëtarët më shumë se me Beogradin. Këtë e tha sot gjatë seancës së posaçme në Parlamentin e Serbisë.
Presidenti përkujtoi se ndër kushtet e Kurtit është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet ne fuqi. I pyetur nga deputeti Markoviç se cila është përgjigja e qeverisë dhe presidentit serb ndaj këtyre kërkesave, Vuçiç tha:
“Kjo është një tallje e komunitetit ndërkombëtar më shumë se ne”.
Vuçiç shtoi se Asociacioni është i përcaktuar me marrëveshjen e parë dhe se ekzistojnë katër marrëveshje për përmbajtjen e bashkësisë.
Kur flitet për pasojat që mund të pësojë Serbia për shkak të mospranimit të platformës së propozuar evropiane, Vucic thotë se nuk është folur asnjëherë për sanksione.