TIRANE- E ndodhur përballë trysnisë politike të opozitës dhe maxhorancës për hetimin e çështjes së fshirjeve së të dhënave nga serveri i Drejtorisë së Tatimeve, Prokuroria e Përgjithshme pak ditë më parë i ka dërguar një kërkesë ambasadës Amerikane, për vënien në dispozicion të një eksperti kibernetik me qëllim kryerjen e ekspertimit të serverit të shumë përfolur. Kjo lëvizje e prokurorisë, vjen në një kohë, kur disa ditë më parë ka dështuar ekspertiza e kërkuar nga specialistët e laboratorit shkencor të Ministrisë së Brendshme, të cilët nuk kanë dhënë një përgjigje konkrete për organin e akuzës.

Nisur nga këto rrethana, grupi i hetimit ka vendosur të kërkojë ndihmë tek partnerët amerikanë, ku siç mësohet u është kërkuar një ekspert shtetëror ose privat, për analizimin e të dhënave të serverit dhe provimin nëse në paisjen kompjuterike, ka pasur ndërhyrje,fshirje dhe kopjim të materialeve ose jo. Ky nuk është rasti i parë që prokuroria shqiptare i kërkon ndihmë autoriteve amerikane, pasi një gjë e tillë ka ndodhur në rastin e aksidentit të Kosta Trebickës, tragjedinë e Gërdecit dhe videon “Meta-Prifti”.

Pyetje pa përgjigje
Prej disa ditësh në prokurorinë e Tiranës ka mbëritur një raport nga specialistët e laboratorit shkencor të Ministrisë së Brendshme, të cilët informojnë prokurorinë lidhur me konkluzjonet e ekspertizës, të serverit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Për prokurorët e çështjes, ky raport është pa një përgjigje konkrete, duke mos qartësuar periudhën kur është bërë ndërhyrje në server dhe nëse ka pasur kupjimi, fshirje apo ndryshim të të dhënave në këtë paisje kompjuterike.

Në përgjigjen e tyre ekspertët shqiptarë kanë pretenduar se mungojnë programet e çertifikuara për analizmin e këtyre të dhënave dhe për pasojë nuk është arritur të dilet në një përgjigje konkrete. Nisur nga këto rrethana Prokuroria e Përgjithshme ka menduar të kërkojë një ekspertizë amerikane të detajuar, për të shuar çdo koment politik,pas përfundimit të raportit.

Sherri pas filmimeve
Pas filmimeve të publikuara në disa media, opozita dhe maxhoranca janë përfshirë në debate, duke akuzuar njëra-tjetrën për implikim në këtë histori. Maxhoranca bashkë me LSI, kanë akuzuar opozitën e sotme se përmes ish-shefit të IT, Renald Riska kanë dashur të fshijnë gjobat e biznesneve. Ndërkohë opozita, ka akuzuar drejtoreshën e Tatimeve Briselda Shehaj, deputetin e LSI Spartak Braho dhe këshilltarin e kryeministrit Edi Rama Ermal Beqiri, si të përfshirë në ndërhyrjen e serverit të tatimeve. Në këtë debat është përmendur dhe prokuroria, e cila është akuzuar se nuk po heton siç duhet rastin në fjalë.
 
Shkrimi u publikua sot (09.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)