TIRANE - Ish-nënkryetari i PS, ish-kryetari i Kuvendit, profesori i socialistëve Servet Pëllumbi ishte dje në Peqin në mbështetje të kadidatit për deputet të PS, gazetarit Alfred Peza. Pëllumbi tha se socialistët janë më të organizuar, kanë një program më të mirë, kanë përzgjedhur kandidatët më të mirë pavarësisht ndonjë qejfmbetjeje, kanë krijuar koalicionin më të madh të mundshëm deri më tani me 37 parti, shqiptarët janë lodhur nga keqqeverisja e PD, dhe nevoja për rotacion politik tashmë është më e nevojshme se kurrë.

Por sipas tij, duhet pasur kujdes nga euforia e tepërt. “Ka edhe faktorë negativë që s’janë të favorshëm. Unë do përmend ndonjë prej tyre. Në radhë të parë ne kemi një lloj shkujdesjeje dhe themi që fitoren e kemi të sigurt, nuk ka kush fiton kësaj here, ata janë të demaskuar, janë të kritikueshëm për çdo gjë, populli s’do t’i mbështesë, kanë humbur mbështetjen etj, prandaj fitoren e kemi të sigurt dhe na kap ndonjëherë euforia.

Euforia është si ai ndryshku që gërryen hekurin, që në këtë rast konkret, gërryen fitoren. Të mos lejojmë euforinë që të na gërryejë fitoren”, tha dje Pëllumbi. Pasi sipas tij, duhet pasur parasysh që ai që është përballë, ka një eksperiencë të madhe për zgjedhjet e sidomos për manipulimin e zgjedhjeve.

“Ka ndonjëherë një lloj indiferentizmi në radhët tona. Ka vota PS, po s’vajta unë do ta marri. Edhe kjo është negative, edhe kjo është e disfavorshme. E rëndësishme në këto zgjedhje është çdo vote.

Prandaj, do thosha që një nga faktorët që duket negativ që mund ta kthejmë në pozitiv është pjesëmarrja sa më e madhe në zgjedhje. Pjesëmarrja sa më e madhe në zgjedhje është faktori që ne të fitojmë”, tha Pëllumbi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.05.2013

Redaksia Online
(b./shqiptarja.com)