Duke i uruar punë të mbarë Kuvendit edhe posaçërisht të gjithë përfaqësuesve të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe pa hyrë në argumentimet, që fare mirë u bënë nga parafolësit, lidhur me arsyet se përse ne jemi këtu për t’i zmbrapsur dekretet e Presidentit të Republikës, dua vetëm të sjell në vëmendje të opinionit publik se, praktikisht, Presidenti nuk ka goditur disa ligje, por ka goditur tre prioritete kombëtare.
Reforma në Drejtësi është një prioritet kombëtar, nuk është një prioritet partiak. Një prioritet kombëtar i përcaktuar çdo ditë, përveçse me zgjedhjet që përcaktuan këtë shumicë, nga mijëra qytetarë që përplasen dëshpërimisht në dyert e një sistemi të kalbur dhe po ashtu nga plotë qytetarë që çdo ditë nënvizojnë përpara nesh domosdoshmërinë që ky sistem të kalojë në një operacion rrënjësor.
Reforma Administrativo-Territoriale, është një prioritet kombëtar, nuk është një prioritet partiak. Është një prioritet kombëtar i dalë në pah si një detyrim për politikën shumë vite më parë. Është një prioritet kombëtar i pamohuar si i tillë nga asnjë forcë politike. Një prioritet kombëtar i përcaktuar sipas qeverive të radhës si një domosdoshmëri. Fatkeqësisht, Presidenti i Republikës, organizon dëgjesa me të zgjedhur vendorë të Partisë Demokratike, pasi parlamenti me një shumicë përtej shumicës qeverisëse e ka votuar Reformën Administrativo- Territoriale. Dëgjesa surreale të cilat as formalisht nuk e justifikojnë rolin e Presidentit të Republikës, sepse jam i bindur se në rast se do të kishte ftuar edhe të zgjedhurit vendorë të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, padyshim do t’i kishte pasur aty për të dëgjuar.
Prioritet kombëtar është edhe lufta kundër krimit dhe garantimi i një standardi sigurie normal për qytetarët. Ligji për Policinë e Shtetit erdhi në këtë Kuvend pasi u punua me gjithë përfaqësuesit e organizmave që asistojnë Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme nga një sërë vendesh apo edhe nga strukturat e BE-së. E pra, edhe këtë prioritet kombëtar Presidenti e goditi. Më vjen keq të kujtoj që ndërkohë që rendi për t’u bërë pjesë e sulmit ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, - nënkupto edhe qeverisë, - për atë kaçatorin e drogës që ra në Divjakë, ende nuk e kam dëgjuar të thotë një fjalë as për superaksionin e Lazaratit, në mbështetje të trupave të policisë; as për superaksionin e Dukagjinit, në mbështetje të trupave të policisë dhe të paktën një fjalë të vetme për t’u solidarizuar kundër atyre gangsterëve që patën kurajën të qëllojnë dhe t’i rezistojnë me armë Policisë së Shtetit, duke vënë në rrezik serioz jetën e trupave të Policisë së Shtetit.
Sigurisht që, ne nuk kemi kohë për të humbur, as në debat me Presidentin e Republikës, por këto janë disa fjalë që duheshin thënë për opinionin publik duke i qëndruar zotimit se ne nuk do ta kthejmë as këtë foltore dhe as foltoren e qeverisë në një llogore për të hedhur gjyle balte ndaj Presidentit të Republikës, siç ka ndodhur në të shkuarën. Duke gjykuar të gjithë, kujtojmë, se ky vend ka pasur qeveri që kanë sulmuar presidentët dhe sot ka për herë të parë një President që sulmon Qeverinë.
Me këtë rast më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj dhe në vëmendjen e publikut, të dhënat e fundit të përpunuara nga Policia e Shtetit, të cilat na bëjnë të gjithëve besimplotë se jo vetëm jemi në rrugën e duhur, por dhe se tanimë jemi në kushtet kur Policia e Shtetit e ka tërësisht nën kontroll territorin. Pavarësisht se lufta me krimin është një luftë që nuk mbaron asnjëherë. E pra, në muajin korrik, - dihet botërisht që korriku dhe gushti janë dy muaj shumë të vështirë, tradicionalisht, për forcat e rendit,- vrasjet janë 61.5% më pak sesa një vit më parë; aksidentet janë 33.5% më pak sesa një vit më parë; droga e kapur është 400% më shumë sesa një vit më pare. Një fakt shumë i rëndësishëm për ne, që ka 16.799 telefonata të qytetarëve në të gjitha stacionet operacionale të Policisë së Shtetit, ndaj të cilave ka pasur përgjigje.
Thënë të gjitha këto, sigurisht që, nuk ndjehet mirë askush kur sheh gjysmën e sallës bosh, edhe pse sot janë të pranishëm më shumë deputet se ç’numëron “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Ka një parti, partia më e madhe e opozitës që mungon. Ata mendojnë se mungojnë me arsye, por unë besoj se arsyet e paraqitura për mungesën, janë në fakt arsyet që konfirmojnë mungesën e plotë të ekuilibrit të opozitës në raport me detyrat ndaj publikut dhe ndaj zgjedhësve të vet. Kështu që, qoftë dhe në këtë pikë ne nuk jemi në vazhdën e traditës që nga kjo foltore kryeministri apo përfaqësuesit e shumicës lëshonin çfarë t’ju vinte në gojë për opozitën në mungesë. Vetëm se një gjë është e sigurt që përpjekje për t’i mbyllur gojën opozitës jo vetëm që nuk ka, por ka dhe një dëshmi shumë të qartë të vullnetit për t’i krijuar opozitës mundësinë që të flasë përtej çdo caku të përcaktuar nga rregullorja. Faktikisht, kam parë dje të dhënat që kishte Kryetari i Grupit tonë Parlamentar, të marra nga gjithë aktiviteti parlamentar në këtë sallë. Lideri i opozitës këtu, në këtë sallë, kishte më shumë se dyfishin e kohës së shfrytëzuar sesa Kryeministri. Megjithatë, kjo mund të quhet një fakt i papranueshëm për këtë diskutim, sepse lideri është rekordmen. Është e sigurt se përveç rekordit në atë që ai e quan not, - që është një ujitje e trupit në hulli, - ka një rekord më të lartë që është rekordi i shpartallimit të të gjithë kufijve të vendosur jo nga rregullorja, por nga norma e bashkëjetesës në marrjen e kohës së Kuvendit. Megjithatë, edhe vetë opozita, Partia Demokratike, nuk bie më poshtë, sepse në kohën e shfrytëzuar këtu në foltore pothuajse jemi të barabartë, në disa orë në avantazh për Partinë Demokratik, po të marrësh parasysh numrin e folësve, shkojmë prapë në më shumë se dyfishi i liderit. Kështu që, besoj se argumenti, se këtu nuk janë se u mbyllet goja, është krejtësisht i paqëndrueshëm.
Sikundër, për ta mbyllur, më ka bërë shumë përshtypje kur kam mësuar diçka që nuk e dija, që në Gjermani ka një ligj të pranuar nga të gjithë deputetët, i pashkruar, por i pashkelur asnjëherë në historinë e Republikën Federale, që opozita kurrë nuk thotë asnjë fjalë të keqe për Qeverinë në veshët e të huajve. Ndërkohë që, më ka qëlluar të takoj të huaj që takojnë opozitën dhe në më shumë se një rast i kam parë të habitur të më pyesin dhe të na pyesin se pse vallë ata flasin si me vete, për gjëra që i shohin vetëm ata.
Sidoqoftë, ne jemi më shumë sesa të plotëvullnetshëm që ta mirëpresim opozitën këtu në sallë; më shumë sesa të vullnetshëm që ta dëgjojmë opozitën deri në fund, paçka edhe vetë rregullores, por, sigurisht, nuk mund të presim opozitën.
Dua t’i falenderoj të gjithë ata që e filluan punën përpara kohës së zakonshme për të sjellë këto dekrete këtu sot, në 1 shtator, në ditën më të parë dhe për të dhënë një mesazh shumë të qartë për të gjithë; Se ne nuk kemi kohë të presim, sepse Shqipëria nuk ka kohë të presë!
Ashtu sikundër, opozita është në të drejtën e vet të bëjë atë që sheh më të arsyeshme. Ne nuk mundet veçse ta respektojmë në zgjedhjen e saj, të bindur që s’mund të bëjmë babysitter-in e opozitës, aq më tepër që opozita nuk është një bebe që sot qan nga uria, por një plak që qahet nga mbingopja.
Faleminderit!