Seuli thotë se Koreja e Veriut i ka dërguar armatim shtesë Rusisë

Seuli thotë se Koreja e Veriut i ka dërguar armatim shtesë Rusisë

Koreja e Veriut e ka furnizuar rishtazi Rusinë me sisteme shtesë të artilerisë, për ta mbështetur në luftën e saj kundër Ukrainës, ndërsa disa prej mijërave trupave koreanoveriore të zhvendosura në Rusi, kanë filluar të angazhohen në luftime tashmë, tha të mërkurën agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut.

Vlerësimi i Seulit vjen pasi Rusia paralajmëroi të hënën se vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për ta lejuar Ukrainën të kryejë sulme thellë brenda Rusisë me armë amerikane me rreze të gjatë, i “hedh benzinë zjarrit” në luftë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se vendimi i Bidenit u nxit pothuajse kryekëput nga përfshirja e Koresë së Veriut në këtë luftë.

Në një seancë me dyer të mbyllur në Parlament, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Koresë së Jugut (NIS) tha se Koreja e Veriut ka dërguar në Rusi artileri vetëlëvizëse të llojit 170mm dhe sisteme raketash me shumë tyta të llojit 240mm, sipas deputetit Lee Seong Këeun, i cili mori pjesë në seancë.

Lee u tha gazetarëve se NIS-i vlerësoi se këto armë janë një lloj artilerie që ushtria ruse nuk e përdor zakonisht, prandaj Koreja e Veriut ka gjasa të ketë dërguar personel për t’i mësuar rusët se si t’i përdorin ato dhe të kujdesen për mirëmbajtjen e tyre.

Javën e kaluar, kanale ruse në Telegram dhe postime të tjera në rrjetet sociale publikuan fotografi që duket se shfaqnin artilerinë vetëlëvizëse Koksan 170mm të Koresë së Veriut, duke u transportuar në Rusi përmes rrugës hekurudhore.

Financial Times, duke cituar inteligjencën ukrainase, raportoi të dielën se Koreja e Veriut ka dërguar në javët e fundit rreth 50 armë vetëlëvizëse të llojit 170mm dhe 20 sisteme raketash me shumë tyta të llojit 240mm drejt Rusisë.

Sistemet e artilerisë janë armët më të fundit konvencionale që besohet se Koreja e Veriut i ka dhënë Rusisë, në një kohë kur këto dy vende po e zgjerojnë ndjeshëm bashkëpunimin e tyre ushtarak përballë konfrontimeve të ndara me SHBA-në dhe aleatët e saj.

Muajin e kaluar, NIS-i tha se Koreja e Veriut i ka dërguar më shumë se 13.000 kontejnerë me artileri, raketa dhe armë të tjera konvencionale në Rusi prej gushtit të vitit 2023, për t’i ndihmuar Moskës t’i rimbushë rezervat e saj të pakësuara.

NIS-i tha të mërkurën se në fund të tetorit rreth 11.000 ushtarë koreanoveriorë u zhvendosën në rajonin Kursk të Rusisë – ku trupat ukrainase kanë marrë nën kontroll pjesë të territorit këtë vit – pasi u stërvitën fillimisht në verilindje të Rusisë.

SHBA-ja, Ukraina dhe vende të tjera kanë vlerësime të ngjashme mbi numrin e ushtarëve koreanoveriorë të Rusi.

Ata thonë se ushtarët koreanoveriorë mbërritën në Rusi në tetor dhe se disa prej tyre janë angazhuar tashmë në luftime në rajonin e Kurskut.

Vëzhguesit thonë se pjesëmarrja e Koresë së Veriut në luftën gati 3-vjeçare rrezikon ta përshkallëzojë konfliktin./REL

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar