DURRES - Sot paradite në portin e Durrësit mbërriti kroçera “Kristina Katerina” me 325 turistë ne bordin e saj. Anija parashikohet të ankorohet në kalatën 4, ku janë marrë të gjitha masat për pritjen e udhëtarëve nga vende të ndryshme.

Sipas agjencisë pritëse, anija turistike niset nga Venecia dhe mbërrin në qytetin bregdetar mëngjesin e së enjtes. Shumica e turistëve janë nga Finlanda, por nuk mungojnë edhe udhëtarë nga Rusia, Anglia, Norvegjia dhe Suedia.

Kroçera “Kristina Katerina” është nisur më 25 prill nga porti i Jaltës (Ukrainë) për të vijuar në itinerarin në Bartin e Stamboll (Turqi), Kios dhe Argostoli (Greqi), Brindizi (Itali), Kotorr (Mali I Zi), Koper (Slloveni),Split (Kroaci) dhe Venecia (Itali). Pas ndalesës prej 14 orësh në Durrës nesër në mbrëmje, kroçera “Kristina Katerina” do të vijojë lundrimin drejt Krotones (Itali). Turistët e huaj do të vizitojnë Durrësin, Krujën dhe Beratin.

Anija turistike ka vizituar disa herë portin e Durrësit. Për herë të fundit ajo u ankorua në portin më të madh të vendit tonë në tetor të vitit të kaluar. Pas kroçerës “Costa Voyager” me 761 turistë, “Kristina Katerina” është anija e dytë turistike që mbërrin në Durrës në fillim të këtij sezoni.

(ad.ti/shqiptarja.com)