Ky është fshati Bilçë në Berat, ku kultivohen sipërfaqet më të mëdha të pemës së ullirit. Afro 200 mijë rrënjë ullinj  ndodhen  gjatë gjithë zonës  kodrave që mbulon  këtë fshat.

Prodhimi ka qenë i mbarë, por sërish fermerët përballen me probleme. Pavarësisht bujarisë së natyrës, fuqia punëtore mungon ndërsa kultivuesit e bimës ankohen edhe për mungesë tregu.

“Fermerët e kësaj zone punojnë shumë kanë shpenzuar mjaft për të patur një bimë dhe prodhim të mirë por ja ku erdhi koha e vjeljes s’kemi krah pune edhe nëse gjejmë një ose dy nuk na leverdisë na del kostoja e ullirit shumë e lartë .Në dalim me humbje  nuk gjejmë treg na e marrin dhe ato pak biznese  me çmim shumë të ulët me pak fjalë jemi me humbje  nuk marrim as çfarë kemi investuar”, tha Sabri Bejko kryeplak i fshatit.

“Këtu mungon pikë grumbullimi por dhe të shikohet edhe çmimi. Nuk duhet favorizuar  prodhimi I huaj por të ndihmohet  fermeri shqiptar .Ne nuk dëmshpërblehemi  asnjëherë nga shteti  asnjë lloj ndihme. Nga shteti kërkojmë të shikohet infrastruktura  çmimi plehut si dhe  ndihma të tjera”, tha fermeri Baki Xherimeja.

Ka dhe nga ata, që në mungesë të fitimit, thotë se do të heqin dorë nga kultivimi i ullirit.

“Nuk mund të harxhoj më do t’i pres nuk kam çfarë ti dua këto pemë sepse unë vetëm harxhoj, mora dhe një makineri për seleksionimin e ullirit”, tha Flamur Binjaku.

Edhe në Vlorë, procesi i vjeljes së ullirit dhe prodhimi i vajit kanë nisur. Aty, fermerët janë më pak të kënaqur nga rendimenti, për të cilin thonë se ndikoi thatësira.

Përballë mungesës së tregut dhe rritjes së kostove, ata thonë se nuk e kanë rritur çmimin e ullirit.

 “Janë shtrenjtuar të gjitha. Ne kemi vendosur që çmimin e vajit të ullirit ta lëmë 5 -6 mijë lekë për litër”, thonë fermerët.

Edhe në fabrikat e prodhimit të vajit, çmimi për përpunimin nuk është rritur.

“Prodhimet jane shume herë më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Çmimin e përpunimit të ullirit nuk e kemi rritur pavarësisht se çmimi i energjisë është rritur”, tha Naxhi Llanaj sipërmarrës.

Ullishtaria është kthyer në një sektor të rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë. Sipas Ministrisë së bujqësisë, prodhimi i vajit të ullirit në vendin tonë arrin në shifrat e rreth 20 mijë tonëve në vit.