Sezoni turistik, Policia bën 'bilancin' e një muaji! 705 të arrestuar gjatë korrikut, ndëshkohen 'zaptuesit' e plazheve dhe drejtuesit e mjete lundruese

Policia e Shtetit ka publikuar bilancin për muajin korrik, gjatë të cilit u zhvilluan kontrolle dhe aksione të shumta në kuadër të sezonit turistik. Gjatë këtij muaji janë vënë në pranga 705 autorë për vepra të ndryshme penale dhe janë ndëshkuar zaptuesit e plazheve dhe drejtuesit e mjeteve lundruese.

Gjatë muajit korrik, Policia ka zhvilluar kontrolle të shumta përgjatë bregdetit, me qëllim sigurinë e pushuesve dhe gotijtjen e paligjshmërve. Prania e shërbimeve të Policisë, në të gjitha pikat turistike të vendit, ka gjeneruar rend, siguri, shtim të vizitorëve nga e gjithë bota dhe mirënjohje të qytetarëve dhe turistëve për punën e Policisë së Shtetit.

Njoftimi i policisë:

Në këtë kuadër, gjatë këtij muaji:

-Në 22 raste, dhjetëra turistëve vendas dhe të huaj iu është dhënë ndihmë, pasi kishin mbetur të bllokuar në det ose në terrene të thepisura malore;

-196 mjete lundruese janë konstatuar në paligjshmëri, në liqenin e Komanit dhe në hapësira të tjera ujore në juridiksionin e dvkm-ve Vlorë dhe Durrës. 4 korridore për kalimin e mjeteve lundruese, të ndërtuara ilegalisht, u prishën në Velipojë. Autorët e këtyre paligjshmërive u ndëshkuan administrativisht, konform ligjeve;

-28 subjekte janë ndëshkuar në plazhet e Vlorës dhe Durrësit, si dhe pranë liqenit të Pogradecit, pasi kishin pushtuar pa të drejtë hapësirën publike, për vendosjen e 2359 çadrave dhe shezlongëve (të cilat u sekuestruan nga Policia), për vendparkim automjetesh ose për kryerjen e aktiviteteve të tjera fitimprurëse;

-Në 23 subjekte pranë qendrave të banuara u konstatua muzikë tej orarit të përcaktuar. Pronarët u proceduan penalisht, ndërsa pajisjet muzikore u sekuestruan për të parandaluar shqetësimin e mëtejshëm të pushuesve.

-52 raste të ndërtimeve pa leje, në plazhe për qëllime përfitimi, si dhe brenda vijës së verdhë në qytete, u goditën nga strukturat e Policisë në qarqe.

-Policia ka ndërhyrë menjëherë për 18 raste zjarrvënieje, të kryera me dashje apo nga pakujdesia, në disa qarqe të vendit. Hetimet e zhvilluara për këto raste kanë rezultuar me identifikimin dhe procedimin penal (arrestimin, në rastet e zjarrvënies me dashje) të autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Po ashtu janë finalizuar 119 operacione dhe ka vënë në pranga 705 autorë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Nga këto operacione, janë asgjësuar mijëra fidanë dhe bimë kanabisi, si dhe janë sekuestruar 33 armë zjarri, 1 mitraloz i lehtë, 1 granatë, pjesë të armëve të zjarrit, 11 armë gjahu, rreth 2.5 kg kokainë dhe kanabis, si dhe mijëra doza të këtyre lëndëve narkotike.

Janë finalizuar 34 operacione kundër kultivimit të bimëve narkotike në territoret e 7 qarqeve të ndryshme.

-Janë finalizuar 15 operacione të tjera kundër narkotikëve, të cilat goditën transportimin, shitjen dhe tentativën për të trafikuar (në doza, pako dhe sasi) lëndë narkotike kokainë dhe kanabis.

-Janë finalizuar 12 operacione kundër armëmbajtjes pa leje, të cilat rezultuan me sekuestrimin e armëve që i kishin shërbyer apo do t’i shërbenin krimit, që posedoheshin pa leje apo që do të trafikoheshin drejt RMV-së.

-Policia shkatërroi 7 grupe kriminale për krime të rënda kundër personit, shpërndarje të lëndëve narkotike, vjedhje me armë dhe me dhunë, falsifikim dokumentesh në një ambient të improvizuar si laborator, trafikim të mjeteve motorike drejt RMV-së, për mashtrim përmes një subjekti call center ose me qëllim përfitimin nga tatimi TVSH.

Gjithashtu, Policia iu sekuestroi këtyre grupeve, arsenalë armësh, drogë, para, automjete të blinduara, mjete ose pajisje me të cilat kryenin krimet dhe asete të tjera.

Njëri nga këto grupe që kishte kryer disa vrasje dhe kishte siguruar kushtet për kryerjen e disa të tjerave, u shkatërrua si rezultat i operacionit tejet kompleks të koduar “Metamorfoza”.

-6 konflikte dhe ngjarje kriminale që mund të përshkallëzonin ose të kryheshin duke përdorur armë, u parandaluan në Lushnjë, Pogradec, Durrës dhe në Kurbin.

-Në Lushnjë, operacioni “Zinxhiri” zbardhi një vrasje të kryer në vitin 2019, ndërsa operacioni “Pasoja e padëshiruar” zbardhi një tentativë vrasjeje, të kryer më 30 mars të këtij viti.

-Operacionet ndërkombëtare “Rugantino” dhe “Castellon”, arrestuan në vendin tonë 3 shtetas që i fshiheshin autoriteteve të Italisë dhe Spanjës, të cilat i akuzonin si pjesëtarë të 2 organizatave ndërkombëtare për trafikimin e narkotikëve. Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me partnerët britanikë, u arrestua shtetasi i fundit i kërkuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

-14 operacione të finalizuara kundër krimeve ekonomiko-financiare (2 prej tyre të njëpasnjëshme në portin e Durrësit) rezultuan me sekuestrimin e pasurive të paluajtshme me vlerë 10 milionë euro (me burim krimet në fushën e narkotikëve), 146290 eurove, 5548 kilogramëve veshje të kontrabanduara, produkteve ushqimore dhe farmaceutike që shiteshin ilegalisht, si dhe me bllokimin e disa llogarive bankare ku qarkullonin para të gjeneruara në kundërshtim me ligjin.

-U finalizuan 22 operacione kundër vjedhjeve, të cilat parandaluan, goditën menjëherë pas kryerjes apo zbardhën raste të kësaj veprimtarie kriminale, si rezultat i besimit të qytetarëve dhe turistëve që denoncuan menjëherë te Policia e Shtetit.  Operacionet vunë në pranga autorë dhe bashkautorë të këtyre rasteve, si dhe bënë të mundur sekuestrimin e shumave të konsiderueshme të parave dhe sendeve të tjera me vlerë të vjedhura, targave që do t’i shiteshin kontigjentit kriminal, automjeteve të autorëve dhe çelësave të klonuar.

-Policia e Tiranës finalizoi 3 operacione me fokus goditjen e krimeve kompjuterike përmes platformave të ndryshme. Gjithashtu apeloi për qytetarët që të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm për të mos rënë pré e faqeve online që mashtrojnë me qëllim shitjen e produkteve të ndryshme.

-Policia e Gjirokastrës finalizoi 6 operacione për goditjen e transportimit ilegal të dhjetëra emigrantëve, drejt vendeve të BE-së, ndërsa policitë e Korçës dhe të Fierit goditën 3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

-Punonjësit e Stacionit të Policisë Rrogozhinë u angazhuan plotësisht për të siguruar mbarëvajtjen e plotë dhe pa asnjë incident, të zgjedhjeve lokale të zhvilluara në këtë qytet, më datë 23 korrik.

-Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me logjistikë bashkëkohore, kanë qenë prezente gjatë muajit korrik, në të gjitha akset e vendit, me qëllimet e vetme: parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës, gjatë sezonit turistik.

Gjatë këtij muaji, si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera:

-Janë vënë në pranga 251 drejtues mjetesh, nga të cilët 122 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 129 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

-Janë pezulluar 584 leje drejtimi, nga të cilat 379 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 138 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 67 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

-Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të e vendit. Kontrollet e bazuara në analizat e riskut, kanë garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe një sezon turistik me standarde të larta sigurie.

-Policia sekuestroi rreth 70000 euro të padeklaruara në pkk-të Port Vlorë, Muriqan dhe Morinë, si dhe inicioi procedim penal për secilin prej poseduesve të këtyre shumave.

-Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar dhe goditur: 36 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 8 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin, 7 raste të trafikimit të mjeteve motorike, 6 raste të kontrabandimit të mallrave për të cilat paguhet akcizë apo që janë të licencuara dhe 2 raste të trafikimit të lëndëve narkotike.

-Seria e operacionit antidrogë “Parts”, nga Policia e Vlorës dhe disa operacione të tjera nga Policia e Durrësit, goditën veprimtarinë kriminale të shpërdarjes së lëndëve narkotike  kokainë dhe kanabis, në lokale në plazhe dhe në lokale nate në qytetet bregdetare.

Policia e Shtetit fton qytetarët për më shumë bashkëpunim, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të përmbushen objektivat primarë të Policisë së Shtetit, rritja e parametrave të sigurisë dhe sundimi i ligjit në çdo skaj të vendit.

Në dispozicion të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, janë 24/7, mijëra efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët iu garantojnë reagim të menjëhershëm për çdo denoncim, kallëzim apo kërkesë për ndihmë që do të vijë në numrin pa pagesë 112 ose pranë njësive fizike të Policisë, të pranishme në çdo skaj të vendit.

M.T/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja