Situata e karburantit për avionët në Europë është më kritike sesa raportohet deri tani. Me karburantin që pritet të mbarojë midis javës së dytë dhe të tretë të majit duke përfshirë ngarkesat e fundit detare që kanë mbërritur nga Gjiri Persik, rezervat strategjike të Europës rrezikojnë të mos jenë të mjaftueshme për të lejuar fluturime në sezonin e plotë të verës në disa zona. Vetëm dy vende kanë rezerva emergjente për 90 ditë, ndërsa shumica nuk do të kalonte një krizë më të gjatë se 30 ditë. Disa shtete mund të kenë madje vetëm 8–10 ditë autonomi, përpara se të mbeten pa furnizim, raportojnë tre burime për Corriere.
Pasiguritë
Është një çështje kaq delikate saqë zyrtarisht palët po qëndrojnë gojëkyçur. Në Bruksel shpresohet që armëpushimi mes SHBA-ve dhe Iranit të rezistojë, në mënyrë që të lejohet rifillimi i lëvizjes së cisternave përmes Ngushticës së Hormuzit. “Rreziku i mungesës së karburantit në Europë ka kaluar nga virtual në real brenda pak ditësh”, shpjegon një nga burimet. “Përveç NOTAM-eve, buletineve aeronautike, të depozituara nga disa aeroporte italiane, ka edhe aeroporte të tjera në kontinent që prej ditësh po përballen me mungesa në sasitë e karburantit, pa e bërë publike zyrtarisht”, pohon një tjetër.
Kërkesa e importit
Corriere ka pasur mundësi të shohë komunikime mes furnizuesve të karburantit dhe linjave ajrore: në disa aeroporte flitet për një sasi maksimale që mund të ngarkohet (5 mijë kilogramë) për avion, ose për pamundësi furnizimi të avionëve privatë për t’u dhënë përparësi fluturimeve të linjave. Europa importon nga Gjiri Persik 43% të nevojës së saj vjetore për karburant aviacioni. Me ndalimin e kalimit të cisternave në atë zonë, kontinenti përballet me një ulje drastike të vëllimeve të disponueshme në prag të pikut të trafikut.
Kufizimet strukturore
Ajo që e bën situatën edhe më delikate është fakti se aktiviteti i rafinimit në impiantet evropiane është tashmë në maksimum, prandaj fizikisht nuk ka mundësi të rritet më tej prodhimi gjatë verës, konfirmojnë tre burimet. Maji kthehet në një periudhë vendimtare. Nëse nuk mbërrijnë anije të tjera nga Gjiri Persik, mund të nisë përdorimi i rezervave strategjike dhe më pas ndalimi i furnizimit me karburant në aeroportet e disa vendeve. Vende me pak ditë furnizim janë disa shtete të Europës Lindore, por edhe disa shtete të vogla në pjesën perëndimore të kontinentit, vijojnë burimet.
Situata e Italisë
Sipas informacioneve, Italia ka rezerva të mjaftueshme për 30–60 ditë. Në një intervistë, presidenti i Assaeroporti, Carlo Borgomeo, ka thënë se karburanti për avionë në vend “me siguri mjafton deri në fund të majit”. “Jam shumë i shqetësuar për situatën aktuale, edhe sepse nuk duket të ketë urgjencë në Bruksel, por as ndonjë drejtim të qartë”, thotë një nga burimet. “Na ishte thënë se rezervat strategjike ishin të konsiderueshme, por vetëm një pjesë e vogël është e dedikuar për karburant avionësh”.
Rezervat
Në diskutimet e fundit me zyrtarët e BE-së, pronarët e anijeve cisternë kanë bërë të ditur se nuk mjafton vetëm rihapja e qëndrueshme e Hormuzit, por duhet edhe ulja e kostos së sigurimit të cisternave. Për më tepër, pas rifillimit të kalimeve, do të duhen disa javë derisa cisternat të mbërrijnë në Europë me ngarkesat e karburantit të avionëve. Anijet e mëdha mund të kërkojnë deri në dy muaj.
Ditët në vijim
Me Lindjen e Mesme aktualisht të paaftë për të furnizuar Europën me karburant dhe Azinë që e mban prodhimin për vete, pavarësisht kapaciteteve të mëdha të rafinimit, alternativa e vetme për janë Shtetet e Bashkuara. “Por duhet parë me çfarë çmimi dhe në çfarë kushtesh”, theksojnë burimet. Në ditët në vijim, Brukseli do të përpiqet të mbledhë të dhëna të përditësuara mbi sasinë reale të karburantit të avionëve në dispozicion. “Europa duhet të mendojë për një plan që të marrë parasysh masa lehtësuese”, përfundojnë burimet "dhe që të ketë të qartë si duhet të shpërndahet lënda djegëse mes vendeve”./Corriere della Sera
Komente











