Trajneri i Partizanit, Skënder Gega në konferencën e fundit para ndeshjes me Laçin që do të zhvillohet nesër në orën 17:00 ka folur për gjendjen e ekipit, presionin, merkaton, kundërshtarët dhe objektivat.
INTERVISTA E PLOTË
Vazhdimësia e rezultateve pozitive
Gega: Vazhdimësia është e vështirë, vazhdimësia është e rëndësishme prandaj gjithmonë flasim që t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të ruajmë performancën dhe në të njëjtën kohë të shoqërohet me rezultate. Për fat të mirë kanë shkuar gjërat mirë dhe të shpresoj të vazhdojnë kështu.
Rënia e skuadrës në pjesën e dytë ndaj Kastriotit
Gega: Nuk do të doja të ndalesha në detaje për ndeshjen me Kastriotin. Besoj ishte pak anormale atmosfera aty dhe fusha bëri të veten. Ndoshta rezultati 2-0 i shpejtë na vuri pak në gjumë. Kastrioti nuk kishte çfarë të humbiste dhe kërkoi të merrte maksimumin. Maksimumi ndaj Partizanit është gjë e madhe për ta. Gjithsesi arritëm ta kalojmë me sukses dhe tani të shohim Laçin.
Lodhja e lojtarëve në këtë pikë të sezonit?
Gega: Besoj se edhe të tjerët po të pyesësh kanë perceptimin e tyre, por unë flas për Partizanin. Është e vërtetë që kemi pasur lodhje, është një pjesë lojtarësh që kanë luajtur vazhdimisht, ose kanë qenë titullarë. Ata kanë mbajtur pjesën më të madhe të lodhjes. Një grup lojtarësh që çuan ekipin në vendin e parë apo tre vendet e para gjatë gjithë kohës, janë nën presion, i kanë dhënë rimtin e kanë mbajtur peshën. Falë lodhjes së tyre jemi këtu. Por besoj edhe Laçi ka pjesën e vet, si në çdo ekip.
Për shpjegimet ndaj lojtarëve në stërvitje?
Gega: Zyra e një trajneri është fusha. Është krejt normale të bisedoj me lojtarë, bisedoj gjithë kohës me ta, kjo është puna ime. Jam lider dhe kam për detyrë të bisedoj gjërat. Pastaj në fund vendos unë. E kam thënë që në ditën e parë që Partizani është familje e madhe, nuk është i një personi dhe do të mundohemi të fusim frymën e mirë. Deri tani ka shkuar çdo gjë mirë, teknikisht nuk përtoj, edhe natën po ma kërkuan e sqaroj. Lojtarët kanë qejf të sqarohen, të marrin minutazh, të pyesin çfarë mund të bëhet më shumë, kjo është e gjithë ideja dhe ajo që ne kemi bërë.
Për barazimin në fazën e parë ndaj Laçit?
Gega: Kjo është një ndeshje tjetër, situatë komplet tjetër, fatmirësisht do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve, fusha është shumë e mirë. Janë shumë faktorë që na bëjnë optimist të marrim maksimumin.
Analiza që i keni bërë Laçit pas fitores me Skënderbeun?
Gega: Ndeshjet janë të ndryshme me kundërshtarë të ndryshëm. Ne mundohemi të ndërtojmë ndeshjen në bazën tonë, në konceptin që kemi. Duhet të marrim pjesët më të mira të ndeshjes së Skënderbeut me Laçin, që t’i hedhim në fushë. Kemi analizuar Laçin edhe ndaj Skënderbeut, edhe në momente jo të mira.
Zërat për afrime sulmuesish?
Gega: Unë i kam lexuar në media, nuk janë fjalë që kanë dalë as nga unë, as nga klubi. Do të ulem me drejtuesit dhe klubi e unë personalisht do të biem dakord, do të projektojmë diçka më të mirë që mund të na ndihmojë në të ardhmen. Emrat do t’i japim. Por deri tani them që ky është grupi që na ka çuar në vend të parë. Në janar merkato është e hapur për të gjithë, nuk do të ketë sekrete.
Për dënimin e tifozëve të Tiranës me vetëm dy ndeshje?
Gega: Nuk mund të bëj komente, se nuk jam personi që ligjërisht mund të ndaj e përcaktoj se si është. Unë qëndroj që dënimi kolektiv të paktën herën e fundit ndaj nesh është i padrejtë, aq më tepër institucionet tona dorëzohen para atyre fqinje. Por është një e kaluar, unë shpresoj që tifozët tanë të vijnë, ne i kemi sytë nga ata, pasi një teatër pa spektatorë është bosh, nuk mund të japësh 100%. Shpresoj të mos ndodhin gjëra.
Për premiot që vendosin klubet e tjera që të ndalet Partizani
Gega: Personalisht nuk kam asnjë lloj kompleksi si e menaxhon Skënderbeu e Laçi, si e shtyjnë konkurrentët, është mënyra e tyre. Edhe ne kemi pasur premio, nuk na kanë munguar, kemi patur premio e shtysë nga klubi e presidenti që nuk kanë qenë në kontratë, që të bëjmë më të mirën. Por nëse bashkohen me rezultatin kjo thotë që punohet mirë e ka efekt. Ne do të bëjmë tonën, të tjerët nuk mund t’i pengojmë të shtyjnë lojtarët, mënyrën se si gjejnë ata të bëjnë maksimumin e tyre.
Komenti juaj për premion e Kastriotit?
Gega: Nuk kam kompetencë apo t’i them dikujt se kë ka paguar, nuk është puna ime, janë gjëra që duhet të ndiqen nga dikush tjetër, jo nga unë. Ka një qëllim që paguajnë e mbështesin, është mënyra e tyre se si duan të ndalojnë Partizanin, është zgjedhja e tyre, me lekë, me mbështetje, me politika, nuk e di, nuk e kam idenë. Por është normale, njerëzit kanë aleanca, miqësitë e tyre, ngjyrat e tyre, ndërsa Partizani mbase është bërë i frikshëm. Por kjo nuk duhet të na vërë në gjumë, duhet të forcohemi edhe më tepër.
Për trysninë e kreut
Gega: Ne nuk kemi shtyrë asnjë as për superlativa, as për presion. Partizani është një nga klubet më të mëdha në histori, nga Vermoshi në Sarandë ka persona pa fund që janë tifozë me Partizanin. Këdo të takosh në rrugë sot ka një optimizëm, shpreh një dashamirësi, një mbështetje. Kjo të bën të ndjehesh shkëlqyeshëm por është edhe një përgjegjësi. Presioni është i pashmangshëm, ne duhet ta menaxhojmë brenda ekipit, brenda klubit, të jemi me këmbë në tokë dhe të mundohem të marrim më të mirën.