Reforma në Drejtësi ka ende disa pika të rëndësishme për përmbylljen e draftit kushtetues, pika që pritet të mbyllen me rikthimin e opozitës pas bojkotit. Por ajo që përbën sfidën e radhës përtej paketës së ndryshimeve kushtetuese,  është nevoja e 40 ligjeve të reja të cilat janë të domosdoshme për zbatimin e reformës në drejtësi. 12 prej këtyre ligjeve, do të duhet të votohen menjëherë mes ndryshimet kushtetuese, të cilat, vetëm të miratuara së bashku do të bënin përputhjen e Kushtetutës me ligjet e tjera. Këto 40 ligje kanë të bëjnë kryesisht me kodet, si ai Penal, i Procedurës Penale, etj. Po ashtu, të gjitha organet e drejtësisë, ekzistueset dhe ato të rejat, do të duhet të kenë nga një ligj të ri organik, i cili do të përcaktojë funksionimin e tyre dhe fushat e përgjegjësisë.

Po ashtu ligjet të cilat rregullojnë marrëdhëniet mes institucioneve të reja janë të domosdoshme. Në këtë fazë do të aktivizohet grupi i ri i ekspertëve të drejtësisë, sepse deri më tani ka punuar vetëm grupi i ekspertëve të fushës kushtetuese. Ekspertët penalistë do të aktivizohen për të formuluar këtë paketë të re ligjore që është tërësisht e domosdoshme për ta bërë funksionale reformën. Po ashtu do të punojnë ekspertët e gjyqësorit, antikorrupsionit, edukimit juridik, financimit dhe të profesioneve të lira. Kjo punë voluminoze tregon se drejtësia mund të miratohet vetëm si paketë kushtetuese brenda këtij viti, por puna për zbatimin e saj do të zgjasë.

Gjatë punimeve të mëparshme të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Drejtësinë, palët kanë rënë dakord të mos i ndërpresin mandatin Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, e po ashtu janë dakordësuar për votingun, që është procesi i verifikimit të trupës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Palët kanë diskutuar në parim të 10 pikat e pretenduara nga PD, dhe ka ndasi vetëm për institucionet e reja që bëjnë emërimet dhe kërkojnë llogari brenda sistemit të drejtësisë. Për këto çështje do të vendosin ekspertët teknikë të partive, së bashku me ata ndërkombëtarë të OPDAT dhe EURALIUS. Propozimet e ekspertëve do të  sillen në tryezën e komisionit për votimin përfundimtar. Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar, Fatmir Xhafaj tha palët po debatojnë për institucionet e reja që krijohen nga reforma në drejtësi. 


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)