Të ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishin dy baballarë të rinj Rezart Cenaj, Ekspert Komunikimi dhe Iris Selimi, Ndihmës Trajner i Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Ata rrëfyen në studion e “Rreze Dielli” eksperiencat e tyre si baballarë të përkushtuar, duke ndihmuar partneret, për të thyer kështu një mit që baballarët nuk merren shumë me fëmijët.
”Unë kam dy fëmijë që do i quaja dy dragonj për nga energjia, një vajzë dhe një djalë, përkatësisht 7 dhe 5 vjeç dhe e fillojmë ditën me shumë zhurmë tek familja jonë” u shpreh Rezarti në fillim të intervistës, duke shtuar se Armi, bashkëshortja e tij, është ajo që ruan qetësinë më shumë dhe që ka më shumë durim.
”Ka momente që na ikën ndonjëherë situata nga duart me durimin, por alternohemi, kur i ikën njërit, e mbledh tjetri” tha Rezarti.
Irisi gjithashtu ka dy fëmijë, por në familjen e tij, djali është ai që është më i hedhur dhe energjik. ”Roli i babait ka ndryshuar shumë në kohët moderne, mesa mbaj mend roli i babait dikur ishte të punonte, të ishte më autoritar, por sot kemi një baba më të përkushtuar dhe më pranë fëmijëve” vijoi Irisi gjatë bisedës, duke shtuar se jeta tashmë është shumë dinamike dhe intenstive, kështu që bashkëshorti duhet të ndihmojë patjetër bashkëshorten, pasi oraret e punës janë të ndryshme, shpesh punohet jashtë orarit, kështu që duhen ndarë detyrat në familje.
Rezarti shtoi se tashmë tek çiftet e reja ka një bashkëpunim dhe se punët nuk janë të ndara më thikë në familje.
”Nënat na ndihmojnë shumë me fëmijët, pasi falë tyre na e kanë bërë më të lehtë prindërimin dhe gjej rastin t’i falenderoj shumë” theksoi Rezarti, teksa shtoi se sot një grua mund të bëj dhe karrierën dhe gruan e shtëpisë, pasi mundet të alternojë kohën e saj, falë dhe ndihmës së bashkëshortit.
”Të dy fëmijët na shohin ne si model dhe ata thithin çdo gjë që ne bëjmë, ndaj përpiqemi të jemi të kujdesshëm në veprimet tona, apo mënyrën sesi flasim” tha Rezarti në studio, teksa shtoi se dhe prindërit mësojnë nga fëmija, jo vetëm fëmijët nga prindërit. Nga ana tjetër Irisi tha se sot ditën e kishte nisur duke i bërë mëngjesin fëmijëve, më pas i kishte veshur dhe i kishte çuar në kopësht. Prindërimi është me shumë përgjegjësi shtoi Rezarti në fund të bisedës, duke theksuar se nuk ka formula prindërimi, por secili përpiqet për më të mirën.