Burgu i Shën Kollit në Lezhë, njihet edhe si burg me mjaft trazira e problem. Më 13 qershor të vitit 2012, i burgosuri Besnik Lekgega, i cili para disa ditësh ishte plagosur rëndë me thikë nga Kastriot Mardhoçi, ka tentuar të hakmerret. Lekgega ka dalë nga dhomat e ajrimit dhe ka hyrë në korridorin që ndan dhomat e izolimit të godinës 5 me godinën 4, duke tentuar që të godiste të dënuarin Mardhoçi.

Ka qenë polici që ruante dhomën e ajrimit të godinës 4 që ka pikasur Besnik Lekgegën. Menjëherë ka ndërhyrë grupi i sigurisë, i cili ka ndaluar të dënuarin me 20 vjet burg për vrasje dhe e ka dërguar atë në dhomat e paraburgimit. Konflikti mes dy të burgosurve ka nisur një muaj e gjysmë më parë.

Fillimisht ishte Besnik Lekgega, i cili me ndihmën e tre të burgosurve të tjerë, plagosi rëndë me mjete të forta Kastriot Mardhoçin. Ndërkohë, pak ditë para se të plagosej kryetari i Komunës Rrethina në Shkodër, Klevis Muja, i dënuari me 15 vjet burg, Mardhoçi, sulmoi dhe plagosi rëndë me thikë Lekgegën.

Dy incidentet mes dy të burgosurve në fjalë janë mbajtur të fshehura nga policia. Nisja e hetimeve për plagosjen e kryekomunarit Muja, hodhën “dritë” mbi përleshjet mes dy të burgosurve të tjerë në Burgun e Shën Kollit në Lezhë. Megjithëse dy të dënuarit për vrasje vazhdojnë të konfliktohen me njëri-tjetrin me mjete të forta apo me thika, ata akoma mbahen në të njëjtin burg.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)