Janë rreth 10.000 faqe të botuara që mbajnë dhe gëzojnë firmën dhe autoritetin e albanologut shqiptar Shaban Demiraj. Kjo monografi i bashkëlidhet kështu natyrshëm gjerdanit të veprave dhe morisë së studimeve të autorit, duke ruajtur si e tillë edhe mëvetësinë e saj.
Ndërsa e përbashkëta është e dhënë njëherë e përgjithmonë në objektin e studimit, e veçanta feks pikërisht në perspektivat e ndryshme të hulumtimit të tij diakronik, përkatësisht në mënyrën se si përthithen e ngjizen në një masë të përbashkët rezultatet e arritura prej sosh.
Nuk është pra aspak rastësi që në këtë vepër shqipja shqyrtohet në kohë e hapësirë si një gjuhë sa indoevropiane aq edhe ballkanike, madje pa cenuar aspak edhe mëvetësinë e saj si gjuhë e gjallë bashkëkohore që gjëllin sipas rastit e unifikuar, por edhe në varietete, të kushtëzuara këto qoftë nga mjedisi gjeografik ashtu edhe ai social, ku jetojnë bartësit e saj.
Më shumë se sa një mjet i rëndomtë komunikimi brenda bashkësisë, shqipja është për autorin pasqyrë e jetës shpirtërore e materiale të kësaj bashkësie, një përbërës themelor i matriksit të kulturës etnike shqiptare, e cila është ngjizur e ka marrë formë në rrjedhë të kohës në një mjedis kulturor multietnik dhe nën ndikimet e fuqishme kulturore që vinin e vijnë prej Lindjes dhe Perëndimit.
Është kjo një ndër arsyet që edhe autori ynë – sikurse shumëkush në historinë e albanologjisë – e konsideron shqipen dhe hapësirën kompakte shqipfolëse si pikë e Arkimedit, që mundëson të depërtohet me më siguri edhe në paleoetnogjenezën e Ballkanit antik.
Kështu mund të përmblidhet objekti dhe qëllimin bashkë me perspektivën e këtij studimi që i paraqet autori lexuesit të interesuar për çështje të historisë së gjuhës shqipe dhe të etnogjenezës shqiptare.
Sipas botuesit ripunimi i veprës konsiston jo thjesht dhe vetëm në përditësimin e saj me arritjet e përftuara në këta 25 vjet në albanologji, duke përfshirë këtu edhe punën e vetë autorit, por edhe në përpunimin e stilit, përkatësisht në konceptimin e veprës këtë radhë për një rreth shumë më të gjerë lexuesish.
Punimi është parashikuar gjithashtu nga vetë autori me një përmbledhje të konsiderueshme në anglisht, duke i mundësuar kështu aksesin përkatës lexuesit të huaj që ka ende vështirësi në leximin e rrjedhshëm të teksteve shqip.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)