Shaban Murati: Çfarë populli jemi?

Shaban Murati: Çfarë populli jemi?

Artan Grubi, ish-zv/kryeministri shqiptar i shpallur non grata nga SHBA

Në 9 dhjetor 2024, SHBA shpallën ‘non grata’ ish-zëvendëskryeministrin shqiptar (BDI) të Maqedonisë së Veriut, për korrupsionin e ndërhyrjes në gjykatat e Shkupit, për të shpëtuar nga dënimi penal Sasho Mijallkovin, shefin maqedonas të shërbimit sekret maqedonas, i shpallur edhe ai ‘non grata’ nga SHBA, shërbim që ka qenë dhe është nga armiqtë më të egër të faktorit shqiptar atje. 

Aq flagrant dhe negativ është ky servilizëm i pështirë politik dhe etnik shqiptar, saqë edhe qeveria amerikane u neverit dhe e dënoi me shpalljen ‘non grata’ jo vetëm ish-zëvendëskryeministrin shqiptar, por edhe anëtarët e familjes se tij. 

Për të treguar sesa i gjerë është degradimi etnik, politik dhe moral i krerëve politikë shqiptarë, po sjellim shembullin e një kryetari të një partie të rëndësishme politike shqiptare në Maqedoni, i cili publikisht “i betohej për besnikëri deri në vdekje” shefit të shërbimit sekret maqedonas Sasho Mijallkov

Një betim, që i bëhet dhe duhet t’i bëhet vetëm idealit kombëtar shqiptar dhe flamurit kombëtar shqiptar, përdhoset në këtë derexhe kuislinge. Po kjo parti e këtij kryetari, e cila merrte pjesë në qeverinë e kryeministrit Georgievski në vitin 2001, qëndronte qetësisht në qeverinë maqedonase, duke gëzuar benefitet maqedonase, në kohën kur artileria maqedonase bombardonte dhe masakronte fshatrat shqiptare të Tetovës. 

Çfarë bëri më tepër Kuislingu norvegjez në vitet e luftës së dytë botërore, kur Norvegjia ishte e pushtuar nga trupat naziste?

A kanë gojë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të ankohen për diskriminim e tyre etnik nga shteti maqedonas, kur krerët e tyre politikë shqiptarë i betohen “për besnikëri deri në vdekje” shërbimit sekret maqedonas? 

Në 2015, kryetari shqiptar i bashkisë së Preshevës dekoron me dekoratë të posaçme kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të shtetit shtypës të popullit shqiptar të Luginës së Preshevës. A kanë më të drejtë pas kësaj shqiptarët e Preshevës të hapin gojën të ankohen në zyrat diplomatike perëndimore për diskriminim etnik të tyre nga presidenti i shtetit serb Aleksandar Vuçiç, i cili u tund diplomatëve perëndimorë dekoratën shqiptare të dhënë nga shqiptarët për mirënjohje ndaj Serbisë për “të mirat”, që Serbia u ka bërë shqiptarëve të Luginës?

Rrënjët e së keqes shqiptare shkojnë shumë thellë…Këto qëndrime nuk janë vetëm turpi personal faqezi i atyre funksionarëve të mjerë politikë shqiptarë në Serbi dhe në Maqedoni, por është turp i gjithë popullit. Është turp kombëtar!

O Zot! Çfarë populli jemi vallë, që u lëpijmë këmbët shtypësve dhe japim jetën për qeveritë serbe dhe maqedonase, që i kanë masakruar dhe përbuzur shqiptarët në shekuj?

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    12 Dhjetor, 16:05

    Berishës iu dha zyrtarisht nga gjykata vula e PD, a do të shtohen votat?



×

Lajmi i fundit

Qeveria e re e Sirisë pezullon kushtetutën dhe parlamentin për tre muaj

Qeveria e re e Sirisë pezullon kushtetutën dhe parlamentin për tre muaj