PRISHTINE, 2 Shkurt/ATSH/- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala zhvilloi të hënën një takim me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Finlandës në Kosovës, Anne Meskanen dhe kryetarin e Federatës së Atletikës të Kosovës (FAK), Halil Sylejmani. Në takim u diskutua për organizimin dhe promovimin sa më të mirë të Gjysmëmaratonës Ndërkombëtare të Prishtinës, e cila pritet të mbahet në muajin maj.
Gjysmëmaratona Ndërkombëtare e Prishtinës organizohet nga ana e FAK-së dhe tradicionalisht mbështetet prej Ministrisë së Kulturës. Ministri Shala rikonfirmoi mbështetjen e Ministrisë për zhvillimin e gjysmë maratonës dhe njëkohësisht kërkoi angazhimin e sa më shumë të rinjve vendorë dhe atletë të huaj. Ndërkaq, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Finlandës në Kosovë, Anne Meskanen, vlerësoi angazhimin e ministrisë së Kulturës për përkrahjen e Gjysmëmaratonës Ndërkombëtare të Prishtinës. Kreu i FAK-së, Halil Sylejmani, theksoi rëndësinë e mbështetjes së sportit nga ana e MKRS-së./kosovapress/ /a.gjonaj/ /a.g/







