Shalqinjtë po kalben në arat e Roskovecit, ndërsa fermerët thonë se prodhimi nuk po gjen treg. Çmimi ka rënë në vetëm 5 lekë për kilogram, duke i nxjerrë ata me humbje të mëdha.

***

Shalqinjtë e kalbur nëpër ara janë kthyer në shqetësimin më të madh të fermerëve të Roskovecit.

Ata shprehen se si asnjëherë më parë prodhimi ka mbetur pa shitur, ndërsa çmimi aktual i tregut është vetëm 5 lekë për kilogram, ç’ka nuk mbulon as koston e prodhimit.

Humbjet prej miliona lekësh kanë demoralizuar tërësisht kultivuesit, të cilët thonë se është më mirë ta lënë prodhimin të kalbet sesa ta shesin kaq lirë.

Fermerët shpjegojnë se mungesa e kërkesës nga jashtë dhe refuzimi i pikave të grumbullimit për shkak të mbiprodhimit ka krijuar një bllokim të plotë të tregut.

Ata theksojnë se po punojnë vetëm për tregtarët, të cilët e blejnë shalqinin me 5 lekë dhe e shesin deri në 30 lekë për kilogram.

Roskovec çdo vit mbillen rreth 200 hektarë me kultura bostanore, por ky sezon ka sjellë humbje masive, duke rrënuar ekonominë e tyre familjare. Përballë situatës, fermerët bëjnë apel ndaj institucioneve shtetërore që të ndërhyjnë, duke mos lënë pas dore Myzeqenë, zonë e njohur si hambar i Shqipërisë.