TIRANE - Partia Socialiste e konsideron aktivitetin e firmës ligjore të vajzës së Kryeministrit Berisha në konflikt interesi me pozicionin dhe pushtetin e babait të saj. Deputeti socialist Eduard Shalsi, gjatë një konference për shtyp ditën e sotme u shpreh se shqetësimi i opozitës mbetet në faktin se përse një biznesmen i huaj apo shqiptar duhet të negociojë me vajzën e kryeministrit për aktivitet që do të licencohen nga Berisha.

Deklarata e sotme e Partisë Socialiste i referohet akuzave të ardhura më herët prej selisë rozë, mbi një korrespondencë mes zyrës avokatore të Argita Malltezit (vajzës së Berishës) dhe biznesmenit pakistanez Zafar Ansar, i cili kërkonte të investonte në Shqipëri në fushën e energjetikës.

Vetë biznesmeni pakistanez në një intervistë për Top Channel pranoi njohjet dhe takimet me Argitën, duke treguar se u tërhoq nga investimi pasi iu duk shumë e çuditshme për një kompani ligjore që kërkonte të paguhej, krahas punës në aspektin juridik edhe me pagesë për suksesin e investimit, ndërkohë që Argita tha se ka qenë Ansar ai që e ka kontaktuar.

DEKLARATA E PLOTE E EDUARD SHALSIT

Për të disatën ditë rresht, pas denoncimit të biznesmenit Ansar, e bija e kryeministrit nuk shpjegon, por ka marrë përsipër të vazhdojë të sulmojë me një gjuhë aspak etike. Natyrisht, që nuk kemi ndërmend të përgjigjemi me të njëjtin fjalor dhe me të njëjtin stil, siç bën e bija dhe i ati i saj. I kemi etiketuar dhe i konsiderojmë sjelljen, veprimet, aktivitetin e firmës ligjore të së bijës së kryeministrit si në konflikt të pastër interesi me pozicionin dhe pushtetin e babait të saj.

Shqetësimi ynë ka qenë dhe mbetet se përse një biznesmen i huaj apo shqiptar duhet të kontaktojë, të bisedojë apo të negociojë me të bijën për aktivitete që do të licencohen nga i ati i saj kryeministër.

Çfarë pune ka që pranon të bisedojë me biznesmenë që dalin nga zyra e babait të saj?
Çfarë pune ka që ofron konsulencë apo shërbime për investitorë të huaj apo shqiptar që negociojnë me qeverinë?
Po çfarë pune ka e bija e kryeministrit të tregtojë toka në të cilat do të licencohen aktivitete nga i ati i saj?

Përse duhet studio ligjore e së bijës të jetë në shërbim të kryeministrit që është - konflikt i pastër interesi, apo një kryeministër në shërbim të studios ligjore të së bijës, që është kapje e hapur e shtetit?

Është bërë e qartë tashmë pozita e vështirë në të cilën gjendet e bija dhe kryeministri, por sot, edhe më tepër se sa dje, nuk duhet t’i shmanget dhe mos t’i përgjigjet faktit që një biznesmen i huaj që kërkonte të investonte në Shqipëri e ka denoncuar, dhe denoncuar rëndë madje.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)