Deputeti socialist Eduard Shalsi deklaroi dje, në një konferencë shtypi, se dështimi në sektorin energjetik dhe atë të naftës është një tjetër arsye se përse qeveria ‘Berisha’ nuk duhet të votohet më 23 qershor. Shalsi ka thënë se kryeministri ka shfrytëzuar pasuritë e vendit për të pasuruar familjen e tij.

“Kryeministri i dështimeve të njëpasnjëshme as që kishte ndërmend që pasuritë natyrore të Shqipërisë t’i vendoste në dispozicion të qytetarëve. Ai premtoi subvencione, por asnjë nuk është parë deri sot. Koncensionet nuk u kanë sjellë asnjë dobi shqiptarëve. Shfrytëzimi pa kurrfarë kriteri ka rrezikuar potencialin e tyre në të ardhmen”, tha ai.

Duke shtuar se miliona dollarë janë zhdukur, ndërsa vetëm gjatë qeverisjes së Berishës kanë humbur jetën mbi 30 minatorë në miniera. Berisha tentoi të koncensionojë një pasuri si nafta, por dështoi me ARMO-n dhe me Albpetrolin, shtoi deputeti i PS.

“Berisha i ka parë privatizimet strategjike si një instrument për të pasuruar familjen tij”, tha Shalsi, duke premtuar se PS, me ardhjen e saj në pushtet, “do të kërkojë anulimin e koncensioneve që kanë shkelur ligjin”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)