Shaqir Kodra, kompozitori që
ndoqi yllin e vet

Shaqir Kodra, kompozitori që<br />ndoqi yllin e vet
Shaqir Kodra (1 maj 1948 - 27 qershor 1996) është nga ata artistë që gjatë gjithë jetës ndjekin me ngulm yllin e vet. Pavarsisht nga koha kur jetoi, apo nga vendimet që merrnin të tjerët, Shaqiri vrapoi pa pushim në rrugën pa kthim të muzikës. Çyli, siç vazhdojnë ta thërrasin edhe sot, 19 vjet pas vdekjes, nuk ishte thjesht një muzikant.

Haig Zacharian, kompozitori tjetër durrsak, pak vite më i vogël në moshë, teksa bisedojmë, kujton shijet e veçanta të kolegut, por mbi të gjitha nënvizon dëshirën e tij për ta parë muzikën gjithmonë ndryshe. Shënimet e sotme do të ishin të pamundura pa bisedat e shumta me shokë, miq, artistë, bashkëmoshatarë e familjarë të Çylit, “djaloshit simpatik, të brishtë e bardhosh, që më shumë se me një ballkanas, ngjasonte me një skandinav”, siç e përshkruan shoku i tij i klasës, Mirush Kabashi.
 
Studenti sfidant
Maturanti Shaqir Kodra në vitin 1966 refuzoi degën e arkitekturës, duke kërkuar me ngulm të studjojë muzikë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ishte nxënës i shkëlqyer i shkollës së mesme “Naim Frashëri” të Durrësit dhe nuk kishte studiuar në lice apo shkolla artistike.

Siç kishte bërë edhe herë të tjera, edhe tani djaloshi elegant provoi se muzika për të nuk ishte një passatempo. Vetëm 12 vjeç, në mënyrë thuajse autodidakte, i nxitur nga imazhi i xhaxhait të vet, Bedriut, kishte nisur të luante në trompë, duke u rreshtuar në radhën e parë të Fanfarës frymore të qytetit. Disa vite më vonë, kur ishte gjimnazist, instrumentistët e hershëm të “Vollgës” i hapën vend mes tyre, duke i dhënë mundësinë të interpretonte si solist e të fitonte respektin e bashkëqytetarëve të tij.

Pasditeve gjente kohë të dëgjonte dr. Muhamet Agollin, burrin e hallës së tij, që luante në piano e në violinë. Bashkë me të bijat, Lejlan, Vjollcën dhe Fatmën, dr. Agolli u bë një farë mentori i muzikës për të riun e etur për çdo notë. I pajisur me njohuritë për trombën dhe pianon, e mbi të gjitha me një bagazh të mirë kulturor Çyli fillon aventurën më të rëndësishme të jetës së tij: fakultetin e Muzikës në Tiranë.
 
Artisti i ri në zemër të qytetit
Shaqir Kodra u lind më 1 maj 1948 në Durrës dhe u rrit në zemër të qytetit, në lagjen 11. Çyli vinte nga një familje qytetare, e fisme dhe intelektuale, me origjinë dibrane. Kështu e kujton aktori Mirush Kabashi, bashkëmoshatar e vetëm dy javë më i madh se kompozitori i njohur. I kishin shtëpitë shumë afër njera tjetrës në rrugicën e Kuminit, ndërsa shkonin në të njejtën klasë në shkollën “10 Korriku”. “Shpesh hanim hashure me lekët që na falte xha Samiu, babai i Çylit, një burrë i ndershëm por shëndetlig, që kishte një librari në rreshtin e dyqaneve ku sot ndodhet Teatri - i kthehet Mirushi viteve 1950.

“Jo rrallë kam fjetur në vilën e familjes Kodra, shtëpi e bukur, veçse goxha e vogël për të gjithë vëllezërit me familjet, që jetonin së bashku-dëshmon Kabashi. Është koha kur Shaqiri me instrumentin e vështirë të trompës bëhet pjestar i orkestrës frymore. Ilir Dedja, trompist i njohur në Durrës, tregon për interpretimet e Çylit me formacionin e “Vollgës”, që drejtonte babai i tij, Rifati. “Çyli u bë një kompozitor dhe dirigjent modern, e këtë karakter e dëshmoi që në moshë shumë të re, kur ngrihej në këmbë e luante mes 4-5 instrumentistëve me përvojë dhe përballë dhjetra klientëve bashkëqytetarë-tregon Iliri.

Kur filloi studimet në Tiranë, piano u bë instrument i tij i preferuar.  Krijoi edhe një repertor modern dhe “të rrezikshëm”, siç konsideroheshin në ato kohë partiturat e Ravelit apo Stravinskit, të cilat filloi ti përshtaste me grupin që luante në hotel “Adriatiku” në plazh. Rivalët e tyre nga Tirana, që drejtoheshin nga mjeshtri Gaspër Çurçia i shihnin me respekt djemtë durrsakë.
 
Një koncert në fb
Në vitin 1970 Shaqir Kodra u diplomua në kompozicion dhe u emërua në pallatin e kulturës në Durrës. Siç edhe pritej, punët e tij të para nuk kishin lidhje me formimin akademik. Çyli nis të organizojë festivalet e këngës në Durrës, ku paraqitet rregullisht me krijimet e veta, e veç të tjerash kujdeset edhe për këngët e artistëve amatorë, jo të pakët në Durrës gjatë kësaj periudhe. Drejtuesit e kulturës i ngarkojnë të rikrijojë orkestrën sinfonike të qytetit, një tjetër sfidë, nga të shumtat që ai përballoi në jetën e tij të shkurtër.

Ai rimbledh instrumentistët; përzgjedh pjesët dhe fillon provat për konkurimin kombëtar që zhvillohet në Korçë në vitin 1972. Në program uvertura e Zoraqit, Per Gynti i Grigut dhe Koriolani i Betovenit. Solist, një tjetër djalosh i talentuar në violinë: durrsaku Vladimir Caku. Përballë 50 orkestrantëve të të gjitha moshave, vetëm 24 vjeç ishte dirigjenti Shaqir Kodra, që do të bëhej kështu protagonist i një ngjarje të shënuar për jetën artistike të Durrësit e të mbarë vendit. Orkestra sinfonike e qytetit bregdetar u vlerësua nga specialistët unanimisht me Çmimin e parë.

Aleksandër Bonati, Vaso Llapa, Pirro Dollani dhe e motra Natasha, të gjithë të lidhur me ngjarjen e 43 viteve më parë përcjellin në fb nderimin për figurën e dirigjentit Kodra, kujtojnë emocionet e koncertit, ndërsa Pirro veçon fjalët e kompozitorit Limos Dizdari në analizën e veprimtarisë: “E si mund ta luante më mirë një orkestër profesioniste këtë koncert?” Në sallën e teatrit të Korçës ndodhej atë mbrëmje edhe një vajzë adoleshente, Engjëllushe Kodra, Luçi, motra e vetme e dirigjentit të ri durrsak. “Ndjehesha shumë krenare-tregon pas kaq vitesh Luçi. Nuk e kuptoja muzikën, shikoja vetëm vëllain tim dhe zemra sa nuk më pëlciste nga gëzimi, sepse duartrokitjet ishin vetëm për të”.
 
10 vite të artë
Në jetën artistike të Shaqir Kodrës dallojnë vitet 1970. Muzikanti elegant nga Durrësi provon gjithçka mundet, duke ndjekur yllin e tij. Organizon veprimtari muzikore të të gjitha niveleve, jep leksione muzike në shkollën artistike të qytetit, drejton orkestrën sinfonike dhe formacione të tjera më të vegjël, por mbi të gjitha krijon: Çyli kompozon thuajse në të gjitha gjinitë, duke u vlerësuar nga kritika dhe publiku. Njëlloj si në Institutin e Arteve shokët dhe miqtë mblidheshin në teatër dhe dëgjonin muzikën e përzgjedhur prej tij.

“A ka punë më të rëndësishme se sa të dëgjosh muzikë?-pyeste i habitur Çyli, kur ndonjë prej tyre mungonte në takimet e “Mekës artistike” të pasdites. Edhe këtu gjithmonë origjinal, artisti i ri ofronte muzikën ndryshe. Xhaxhai i tij, Shpëtimi ka ruajtur 19 vlerësime zyrtare, që fillojnë nga debutimet si trombist, kur ishte 15 vjeç.

Tani Shaqiri është një muzikant i formuar dhe duartrokitet në skenat e mëdha të Tiranës, qytetit që bashkë me Durrësin i deshi aq shumë. Në shtëpinë e tij vijnë emra të njohur të muzikës nga Vaçe Zela deri te Ema Qazimi, artistë që ftoheshin prej Çylit për të kënduar në veprimtaritë e organizuara në Durrës. Këngët e tij “Lulet e mollës”, “Me çiltërsinë e fëmijëve” , “Heronjtë e lumit Ebro”, e plot të tjera vlerësohen në festivale lokale dhe kombëtare. Në vitin 1975 kënga-hymn e kompozitorit durrsak, “Shokët” këndohet nga Vaçe Zela, këngëtarja më e madhe shqiptare e muzikës së lehtë, e po ashtu edhe nga Luan Zhegu.

Dirigjentë dhe instrumentistë të shquar, duke nisur nga Ferdinand Deda apo Didi Tartari, përzgjedhin të drejtojnë dhe interpretojnë veprat e kompozitorit tashmë të afirmuar Shaqir Kodra, që siç shprehej Artisti i Popullit Çesk Zadeja dallohen “për seriozitet dhe thellësi mendimi”. Poemi sinfonik për violinë dhe orkestër, Rapsodi për orkestër, Poemë për orkestër apo Fantazi për piano dhe orkestër, që u nderua me Çmimin e dytë në vitin 19979, janë vetëm disa nga veprat e shkruara nga Shaqir Kodra gjatë 10-vjeçarit të tij të begatë.
 
Pengjet e Çylit
Askush nuk e di përse Shaqir Kodra nga specialist muzike në Pallatin e Kulturës në Durrës u transferua në një nga fshatrat e rrethit si mësues vizatimi dhe punë dore. Kontributet e tij në kulturën e qytetit dhe në atë kombëtare nuk mjaftuan për ta ndalur egoizmin e dashakeqëve. Çyli ynë i mirë duhet tu mësonte fëmijëve të vizatonin apo të përgatisnin reçelin në shtëpi. Djaloshi elegant nisi të mbyllej në vetvete. Kishte vuajtur shpirtërisht kur i refuzuan emërimin në Tiranë, por kjo e transferimit në fshat ishte më e rëndë.

Tashmë lidhja me muzikën nisi të konsumohej ndryshe. Veprat e tij nuk pranoheshin në Dekadat e Majit, pasi ai konsiderohej një kompozitor rrethi. Porositë e regjisorëve Hysen Hakani, Xhezair Dafa e Petrit Llanaj për kolonën zanore të filmave “Mysafiri” dhe “Udhëtim i vështirë” i japin vetëm kënaqësinë e punës krijuese, por nuk e mundin dot trishtimin dhe depresionin që ka nisur ta pllakosë.

10 vitet e arta të krijimtarisë intensive duken shumë larg. Martesa, që nuk zgjati shumë, por edhe lindja e vajzës, nuk e shkëpusin dot nga zymtia. Periudha e Institutit të Arteve, me fotot e një studenti të gëzuar e të qeshur ka mbetur pas. Çyli lidhet përfundimisht me pianon dhe partiturat. Për të nuk ekziston më asgjë tjetër.
 
Sëmundja tinzare
“Sëmundje tinzare dhe të pashpirt” e quan gjëndjen depresive të Çylit, shoku i tij i fëmijërisë, Mirushi. Familjarët e tij alarmohen dhe përpiqen ta ndihmojnë me çdo kusht. Miqtë rreth e qark shokohen. Tërhiqen, janë të paaftë ta mbështesin. 30-40 vjet më parë depresioni konsiderohej një sëmundje e papranueshme, gati-gati në kundërshtim me “realitetin e lumtur socialist”. Nëna e tij, Kimetja, do të jepte gjithçka për t’ia rikthyer gjallërinë djalit të saj të vetëm.

“Çyli na kërkonte ta dërgonim vazhdimisht në spital, në Tiranë. Ishte e dhimbshme, por atje i vetmuar ndjehej më mirë-kujton motra Luçi kalvarin e sëmundjes së vëllait të saj artist. Kur ishte i qetë shkruante pa pushim. Na kërkonte t’ja dëgjonim kompozimet”. Çyli vetizolohet dhe gjen qetësi vetëm te partiturat muzikore. Rexhep Hasimi, një nga miqtë më të afërt i qëndron pranë deri në fund, njëlloj si atëhere kur gati në mënyrë klandestine siguronin partiturat e kompozitorëve modernë bashkëkohorë.

Vitet e fundit shëndoshet shumë dhe nis të ketë shqetësimet e para në zemër. Jeta e tij u ndërpre nga një atak kardiak mëngjesin e 27 qershorit të vitit 1996. Shaqir Kodra sapo kishte mbushur 48 vjeç kur u nda nga të afërmit dhe miqtë e tij. Kompozitori Feim Ibrahimi do ta quante “koleg”, studentin e tij të kompozicionit. Një vit pas vdekjes njerëzit e artit dhe kulturës do të nderonin veprimtarinë e tij në një takim ku morrën pjesë edhe kompozitorë nga Tirana dhe ku këngëtari Luan Zhegu do të këndojë “Shokët”, këngën e mirënjohur të Kodrës.

Në vitin 2006 Bashkia e Durrësit i akordon titullin “Qytetar nderi” me motivacionin “Për kontributin e shquar në fushën e artit dhe veçanërisht muzikor, si instrumentist, kompozitor, pedagog dhe dirigjent, duke spikatur për intelektualizëm dhe qytetari”. Partiturat e shkruara në vite prej tij presin të shqyrtohen nga specialistët, e ndoshta një ditë të dëgjohen në një koncert të veçantë të orkestrës vetëm me repertorin e kompozitorit Shaqir Kodra.

19 vjet nga dita e vdekjes Çyli kujtohet si një mik i mirë, për të cilin duhet të kishim më shumë vemendje. Siç shkruan Mirush Kabashi, “janë të pakët ata që në një jetë kaq të shkurtër, lenë pas një produkt kaq të vlefshëm dhe kaq shumë kujtime të mira”.

Një Artist me A të madhe, siç ishte me siguri Shaqir Kodra, që edhe tani në jetën e përtejme, besoj se po ndjek yllin e jetës së tij, muzikën.
Shaqir Kodra
Shaqir Kodra

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Rezultati u vendos me fotofinish, Noah Lyles njeriu më i shpejtë në botë

Paris 2024/ Rezultati u vendos me fotofinish, Noah Lyles njeriu më i shpejtë në botë