Sharm,11 shqiptarët e braktisur:
S'kemi lekë. MPJ: Paguani vetë

TIRANE - Lot, kaos dhe lutje mes 191 turistëve shqiptarë në Aeroportin e Sharm El Sheik. Shqiptarët e mashtruar nga shoqëria “Pasha Holiday”, e cila tashmë ka shpallur falimentimin, sot e kanë gjendur veten në udhëkryq të vërtetë.

Një avion i kompanisë BelleAir është gati t’i marrë ata mbrëmjen e sotme dhe t’i sjellë në Shqipëri, me kusht që të gjithë të kryejnë pagesën e biletës.

Disa kanë arritur ta bëjnë këtë përmes familjarëve nga Tirana, por ka shumë të tjerë që nuk e kanë të mundësi të pagujnë shumën prej 250 eurosh për person dhe rrezikojnë të mbesin në aeroportin e qytetit egjiptian.

Problemet e para për grupin e turistëve nga Shqipëria lindën që të premten pasdite, kur ata u detyruan të largoheshin nga hotelet ku qëndronin pasi shoqëria “Pasha Holiday” nuk kishte paguar për qëndrimin e tyre.

TV A1Report gjatë gjithë ditës ka kryer lidhje të shumta telefonike me disa prej turistëve shqiptarë pjesë e këtij grupi, të cilët kanë dëshmuar për një situatë kaotike në aeroportin e Sharm el Sheik.

Sipas disa prej tyre, mbrëmjen e sotme në aeroport është shfaqur edhe një përfaqësues i shoqarisë së falimentuar “Pasha Holiday”, gjë që ka rritur nivelin e tensionit mes grupit të turistëve. Këta të fundit vazhdojnë të deklarojnë, disa edhe në lot, se nuk i kanë paratë që u kërkohen për t’u kthyer në Shqipëri dhe se vazhdojnë të qëndrojnë në aeroport së bashku me fëmijët e vegjël. “Kam vajzën me temperaturë në aeroport. Situata është jashtë kontrollit dhe askush nuk përgjigjet për ne”, pohoi një grua gjatë një lidhje telefonike në A1Report.

Të dëshpëruar dhe të lodhur, turistët shqiptarë bënë thirrje për ndihmë pasi kanë me vete edhe fëmijë të vegjël, që sipas dëshmive të tyre janë pa grënë prej disa orësh dhe në gjendje jo të mirë.

MPJ: SHTETI S’PAGUAN, PAGUANI VETE
Thirrjet e turistëve për ndihmë duket se janë injoruar nga Shteti shqiptar. Gazmend Turdiu, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, tha gjatë një interviste telefonike për A1Report se Qeveria nuk mund të paguajë biletat e tyre dhe se turistët duhet të gjejnë një mënyrë dhe ta paguajnë vetë atë.

Ai pohoi se Ministria e Jashtme po merret me këtë çështje. “Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me konsullin tonë”, tha Turdiu i cili shtoi se “kam biseduar me drejtorin e BelleAir” që ka dërguar atje një avion. “Konsulli ynë është nisur për në aeroport”, shtoi Turdiu, ndërsa përsëriti që turistët duhet të gjejnë mënyrën se si të paguajnë biletën e udhëtimit.

11 TE BRAKTISURIT
Nga grupi prej 191 turistë, pjesa më e madhe ka arritur të ngjitet në avion. Rreth orës 21:30, në aeroportin e Sharm el Sheik qëndronin ende 11 shqiptarë të cilët nuk kanë pasur mundësinë të blinin biletën. Mes tyre gjendet edhe një grua e moshuar e paralizuar dhe me karrocë, dy fëmijë, gjashtë gra dhe dy burra. Konfirmimi erdhi nga Eno Roshi, një nga pjesëtarët e grupit me të cilët komunikoi A1Report e Shqiptarja.com, e që gjatë gjithë këtyre ditëve jo vetëm është kthyer në zërin e grupit, por është munduar të gjejë një zgjidhje për të gjithë. “Nuk kisha ç’tu bëja më”, tha ai i përlotur në telefon me redaksinë tonë, ndërsa i drejtohej avionit.

Ky grup i fundit - që sipas MPJ përbëhet prej 9 personash - është i detyruar të kalojë natën në aeroport. Për ta pritet të mbërrijë nesër një tjetër avion, bileta e të cilit do të jetë edhe më e shtrenjtë për shkak se bëhet fjalë për një linjë që kalon transit nga Athina, mësoi Shqiptarja.com nga burime zyrtare të MPJ-së.

(im/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

112-Vjetori i Policisë së Shtetit, Proda dhe Hoxha vendosin kurora te Memoriali i efektivëve Dëshmorë: Mbrojtën jetën me jetë!

112-Vjetori i Policisë së Shtetit, Proda dhe Hoxha vendosin kurora te Memoriali i efektivëve Dëshmorë: Mbrojtën jetën me jetë!