SHBA - Prej pesë muajsh, që nga largimi i Donald Lu në muajin shtator 2018 në Kirgistan, SHBA nuk ka ambasador në Tiranë. Sipas ndihmësve në Komisionin e Senatit amerikan për Çështjet e Jashtme, kandidatura e Kathleen Ann Kavalec, e emëruar si ambasadore e SHBA në Tiranë, i është kthyer të enjten Presidentit Donald Trump.
Kavalec u emërua nga shefi i Shtëpisë së Bardhë në korrik 2018 dhe qysh nga ajo kohë, kandidatura e saj ka qenë në pritje për t’u konfirmuar nga Komisioni i Senatit për Punët e Jashtme. Por sipas rregullave të Senatit, kur koha e pritjes për konfirmim i kalon të 30 ditët, kandidatura i kthehet presidentit, por komisioni i senatit mund ta anashkalojë këtë rregull me një votë konsensuale.
Kandidatura e Kavalec ka qenë një prej rasteve me pritjen më të gjatë për konfirmim nga ato që i janë paraqitur komisionit të senatit. Nuk është e qartë se përse Komisioni i Senatit nuk e ka marrë në shqyrtim kandidaturën e Kavalec.
Kush është Kathleen A. Kavalec
Kavalec ka një karrierë 30-vjeçare në diplomaci dhe aktualisht ështëi Zëvendës Ndihmës Sekretare në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit. Ajo është përgjegjëse për Rusinë dhe për Çështjet Politike dhe Rajonale. Më parë, Kavalec shërbeu si Drejtore për Çështjet Ruse në të njëjtën Byro. Më parë, ajo ishte Zëvendës Shefe e Misionit dhe Zëvendës Delegate e Përhershme në Misionin Amerikan në Organizatën Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO) në Paris (2010-2013).
Nga 2009-2010 Znj. Kavalec ishte Zëvendës Koordinatore për Ndihmën e SHBA-së në Evropë, Eurazi dhe Azinë Qendrore. Ajo gjithashtu shërbeu nga 2008-2009 si Drejtore e Parandalimit të Konflikteve në Zyrën e Koordinatorit për Rindërtim dhe Stabilizim. Detyrat e saj jashtë shtetit kanë përfshirë turne në Ukrainë, Rusi, Rumani dhe Brazil. Znj. Kavalec mban një A.B. në Shkencat Politike nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley dhe një M.S.F.S. në Shërbimin e Jashtëm nga Universiteti Georgetown. Gjuhët e huaja përfshijnë rusishten, frëngjishten, spanjishten, portugalishten, rumunishten dhe ukrainishten.
/VOA/