UASHINGTON - Kur ke një ekonomi në rënie të lirë duhet të ekzistojë një strategji zhvillimi dhe jo thjesht të bëhen përpjekje për të vënë nën presion një popullsi që po vuan gjithnjë e më shumë, deklaroi presidenti amerikan, Barack Obama, në përgjigje të pyetjeve për Greqinë gjatë një interviste në stacionin televiziv informativ amerikan, CNN.
I pyetur nëse pajtohej me deklaratën e kryeministrit të ri të Greqisë, Aleksis Cipras, sipas të cilit "masat shtrënguese ekonomike nuk sjellin rezultate", presidenti Obama tha se "është e vërtetë që nuk mund të vazhdosh të trysnosh vende që gjenden në recesion".

"Në një moment duhet të ketë një strategji zhvillimi, me qëllim që këto vende të mund të paguajnë borxhet e tyre, të ulin disa nga deficitet e tyre", theksoi ai.

"Nuk ka dyshim se ekonomia greke gjendej në një nevojë emergjente reformash. Vjelja e taksave në Greqi ishte tragjike. Besoj se Greqia, që të mund të bëhet kompetitive në tregun botëror, duhet të avancojë në një sërë ndryshimesh. Është shumë e vështirë që të realizohen këto ndryshime, nëse niveli i jetesës sëq ytetarëve ka rënë me 25 për qind", vazhdoi Obama.

"Këtë nuk mund ta durojë as shoqëria greke, as sistemi politik . Rrjedhimisht, shpresa ime është se Greqia do të mbetet në eurozonë. Besoj se kjo kërkon kompromise nga të gjitha anët. Kur kriza ekonomike shpërtheu në Greqi para disa vitesh, ne kishim rol aktiv në përpjekjet për përballimin e saj. Besoj se Gjermania dhe të tjerët e pranojnë se është më mirë që Greqia të mbetet në eurozonë, se sa të largohet prej saj pasi është një situatë që tregjeve nuk u pëlqen", shtoi presidenti amerikan.

"Përgjithësisht, më preokupon zhvillimi në Europë. Disiplina fiskale është e rëndësishme. Reformat strukturore janë të domosdoshme në shumë nga këto vende. Mirëpo ajo që na mësoi përvoja amerikane është se mënyra më e mirë për të reduktuar deficitet është që të kesh zhvillim dhe kur ke një ekonomi në rënie të lirë duhet të ekzistojë nje strategji zhvillimi, dhe jo thjesht të bëhen përpjekje për të vënë nën presion një popullsi që po vuan gjithnjë e më shumë", përfundoi ai./ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)