Ekspertë amerikanë dhe nga disa vende të tjera do të fillojnë të punojnë me homologët ukrainas brenda pak javësh për të mbledhur prova dhe për të identifikuar individët e përfshirë në sulmin e Rusisë kundër Ukrainës, të cilët mund të ndiqen penalisht për krimin e agresionit, i tha Zërit të Amerikës një diplomate amerikane. Qendra Ndërkombëtare për Hetimin e Krimeve të Agresionit, e formuar pak më parë, mori miratimin gjatë një takimi në Varshavë nga grupi që po heton mizoritë e luftës në Ukrainë, të përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania.
“Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një prokuror të posaçëm ndërsa vendet e tjera bënë premtime të ndryshme”, tha për Zërin e Amerikës ambasadorja amerikane për Dejtësinë Penale Globale, Beth Van Schaack, gjatë takimit në Varshavë.
“Institucioni në fjalë do të fillojë punën në fund të këtij muaji, duke mbledhur ekspertë të cilët do të punojnë krah për krah me homologët ukrainas në mënyrë që të vendosin bazat për aplikimin e përgjegjësisë penale individuale për krimin e agresionit të kryer në Ukrainë”, tha ajo.
Hazel Cameron, me zyrën e jashtme britanike i tha Zërit të Amerikës se partnerët ndërkombëtarë po ndihmojnë Ukrainën të mbledhë prova për të siguruar vënien në vend të drejtësinë ndërkombëtare. Britania tashmë po ofron ekspertizë dhe burime, duke përfshirë njësi të lëvizshme për mbledhjen dhe dokumentimin e provave, tha ajo.
“Bazuar në standardet më të larta të mundshme, drejtësia duhet të vihet në vend”, tha ajo.
Qendra e re, që do ta ketë selinë në Hagë, është pjesë e grupit këshillues për krimet e mizorive që u krijua në maj të vitit 2022, për të mbështetur Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës në hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të konfliktit, sipas faqes në internet të Departamentit të Shtetit./VOA
Lajmi kryesor: