Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një takim në Teksas me kongresmenin amerikan Keith Self, ku në fokus ishin çështjet e Ballkanit Perëndimor dhe roli i SHBA në rajon. Gjatë takimit, kreu i shtetit shprehu vlerësim për vëmendjen që kongresmeni i kushton çështjes shqiptare dhe zhvillimeve në rajon.

Begaj dhe Self shkëmbyen mendime mbi rëndësinë e pranisë së SHBA në Ballkanin Perëndimor, si dhe rolin e vetë rajonit në zhvillimet gjeopolitike.

“Ishte kënaqësi të takoja kongresmenin Keith Self në Teksas, të cilin e falënderova për vëmendjen ndaj çështjes shqiptare dhe Ballkanit Perëndimor. Shkëmbyem mendime dhe këndvështrime mbi rëndësinë e pranisë së SHBA në rajon, rolin e vetë rajonit, NATO dhe KFOR, si dhe forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve tona”, shkruan Begaj.

Në diskutim u përfshinë edhe angazhimi i NATO dhe misioni KFOR, si dhe forcimi i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.