Zyra amerikane për emigracionin dhe doganat ka dëbuar nga territori i Shteteve të Bashkuara një shtetas shqiptar, i dënuar në mungesë në Shqipëri për një vrasje.

Oficerët depërtuan shtetasin Lul Lucaj, 41 vjeç përmes një avioni tregtar. “Lucaj erdhi në Shtetet e Bashkuara si një i dënuar për vrasje për t’i shpëtuar dënimit për krimet e kryera në vendin e tij”, ka deklaruar zyra amerikane e emigracionit.

41-vjeçari fillimisht mbërriti në Itali, prej nga do të udhëtonte drejt Tiranës, por gjatë qëndrimit në Romë ai është ndaluar nga autoritetet lokale për krime të kryera në territorin italian.

Sipas të dhënave të Interpol, në gusht të vitit 2000, Lucaj ishte përfshirë në një përplasje me dy vëllezër në Itali, e cila ishte mbyllur me vdekjen e njërit prej tyre.

Më vonë, i ndihmuar nga disa shokë, Lucaj kishte vrarë edhe vëllain tjetër. Qeveritë e Italisë dhe Shqipërisë kanë rënë dakord që personi në fjalë të gjykohet në atdhe.

Në qershor të vitit 2009, ai u dënua në mungesë nga Gjykata e Lezhës për vrasje me 14 vjet burg e gjysmë. Në mars të vitit 2015, agjentët e Homeland Security e arrestuan atë dhe e akuzuan për shkelje të rregullave të emigracionit, pasi kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara në rrugë ilegale.

Fillimisht Lucaj fitoi lirinë duke paguar një garanci financiare, por një vit më vonë u konsiderua person i rrezikshëm për shoqërinë dhe në janar të vitit 2017 ra në pranga sërish. Vendimi për dëbimin e tij nga territori amerikan u mor në maj nga një gjykatë vendase. 

Që prej 1 tetorit 2009, zyra e emigracionit në SHBA ka dëbuar mbi 1.700 shtetas të huaj, të fshehur atje për t’i shpëtuar drejtësisë për krime të rënda si vrasje, pengmarrje dhe përdhunime. 

G.F. / Shqiptarja.com