SHBA dhe Turqia kanë arritur një marrëveshje me qëllimin final për të luftuar ISIS-in. Presidenti amerikan Barack Obama gjatë ditës së djeshme ka bërë një bisedë telefonike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan ku në qendër të bisedës ka qenë bashkëpunimi në luftën ndaj Shtetit Islamik.

Obama dhe Erdogan kanë rënë dakord që të rritin presionin ushtarak ndaj ISIS-it ndërsa kërkuan që qeveria siriane të krijojë kushte për zgjidhje të konfliktit.

Gjithashtu u diskutua që sulmet të përqëndrohen edhe ndaj PKK-së në Turqi e cila është konsideruar një organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Gjatë  bisedës, Obama dënoi  sulmin terrorist të 10 tetorit në kryeqytetin turk Ankara, ku mbetën të vrarë 99 persona. Sulmi i së shtunës ishte sulmi më vdekjeprurës terrorist në historinë e Turqisë.

“Obama ka shprehur ngushëllimet si edhe solidaritetit e SHBA-ve lidhur me kërcënimet e sigurisë me të cilat përballet Turqia” kumtoi Shtëpia e Bardhë.

Turqia, e cila kufizohet me Sirinë, është anëtare e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të që lufton shkatërrimin e ISIS-it. Koalicioni synon që përfundimisht të shkatërrojë militantët dhe të inicojë një tranzicion politik në Siri, pa presidentin Bashar al-Asad.