TIRANE - As Bashkimi Europian as SHBA nuk janë dakord me kryeministrin Berisha e Partinë Demokratike për zhvillimin e referendumit për tre ligjet, si një nga kriteret që kërkon Komisioni Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat, por kërkon miratimin tyre me konsensus.

Ambasadori i BE-së Ettore Sequi përforcoi ato që Komisioneri për Zgjerimin në KE, Stefan Fyle tha dje nga Brukseli se nuk mund të ketë referendum për ligjet, për të cilat Brukseli ka kërkuar konsensus ndërpartiak. Sequi shkoi më tej duke shtuar se për BE-në “dialogu nuk është shuma e 2 monologjeve.” Ndërkohë Ambasadori Arvizu në bashkëbisedimin online që ai zhvilloi sot paradite në "Facebook", deklaroi se ishte në të njëjtin qëndrim me BE.  Ambasadori i SHBA-së pati një bashkëbisedimin online me qytetarët shqiptarë me temë: "Act now" - “Premtoj, sepse e dua vendin tim!” për të angazhuar qytetarët në zgjedhjet e reja parlamentare.

“Do të thoja pak gjëra të thjeshta. Mendoj se Fyle tha gjithçka dhe nuk do të shtoj asnjë gjë pas asaj që tha Fyle do të doja të bëja vetëm një koment. Duhet ta keni vënë re që ne flasim për konsensus e dialog. Do ju them cila është mënyra jonë e intepretimit për dialog. për ne dialogu nuk është shuma e 2 monologjeve.”- tha Sequi pas në një prononcim për median pas ceremonisë së mbylljes se projektit të financuar nga BE në mbështetje të sistemit të menaxhimit të Aviacionit Civil Shqiptar‏, i zhvilluar sot paradite në Hotel Tirana International.

Ndërkohë që ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu i pyetur në një konferncë online nga një qyetar: Si e shikoni ju vendimin per referendumin mbi tre ligjet, te kerkuara nga Brukseli zyrtar, per statusin e vendit kandidat?

U përgjigj “Komentet e Komisionerit Fyle i japin përgjigje pyetjes tuaj më mirë se çdo gjë që unë mund te them.”

REFERENDUMI PER TRE LIGJET
Më 4 mars Kuvendi vetëm me votat e mazhorancës, votoi kërkesën e 66 deputetëve që hap dritën jeshile për zhvillimin e referendumit popullor për ligjet, si një nga kriteret që kërkon Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat.

Përmes votimit elektronik në seancën plenare në Parlament, Referendumi u miratua vetëm me 73 votat e mazhorancës, ndërsa opozita bojkotoi votimin duke u larguar nga salla, pas kërkesës për votimin e 3 ligjeve.

Dy ditë më pas, (dje, 6 mars) nga Brukseli komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle reagoi për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër, për çështjen e referendumit për tre ligjet. Në një prononcim për Top Channel ai përsëriti se BE nuk kërkon referendum për tre ligjet por miratim me konsensus. Ai shtoi se po përdoret për populizëm, ndërkohë që përgënjeshtroi Bregun duke mohuar takimin me të.

(sg/shqiptarja.com)