Donald Trump ka prezantuar America.gov, platformën e re të qeverisë amerikane me inteligjencë artificiale, ku qytetarët do të mund të pyesin direkt për shërbimet federale, pa kërkuar një më një në faqet e institucioneve.

Gjatë prezantimit, Trump tregoi se ditët e fundit disa njerëz i kishin thënë se platforma mund të ishte një nga arritjet më të mëdha të administratës së tij. Presidenti amerikan nuk ishte dakord dhe e shoqëroi prezantimin me një batutë.

“Njerëzit e kanë parë këto ditët e fundit dhe nuk mund ta besojnë. Thonë: ‘Kjo është një nga gjërat më të jashtëzakonshme që ka bërë qeveria juaj’. Unë nuk mendoj kështu. Mendoj se është shumë e mirë”, tha ai.

Trump tregoi se dikush madje i kishte thënë se America.gov mund të ishte “gjëja më e madhe” që kishte bërë si president.

“Unë i thashë: ‘Nuk mendoj kështu’. Por është shumë e mirë, në rregull? Është thjesht edhe një gjë tjetër”, tha Trump, përpara se të shtonte: “Nëse kjo është gjëja më e madhe që kam bërë ndonjëherë, atëherë kam qenë një president shumë i keq”.

America.gov është menduar si një adresë e vetme për qytetarët që kërkojnë informacion nga qeveria federale. Në vend që të kalojnë nga një faqe shtetërore te tjetra, ata mund të bëjnë një pyetje dhe inteligjenca artificiale kërkon informacionin në burimet zyrtare të qeverisë.

Përmes saj mund të kërkohet informacion për rinovimin e pasaportës, Medicare, kreditë studentore, vendet e punës në qeveri dhe programe të tjera federale.

Projekti drejtohet nga National Design Studio, me në krye Joe Gebbia, bashkëthemelues i Airbnb dhe drejtues i dizajnit në administratën amerikane.

Por platforma tërhoqi vëmendje edhe për një tjetër arsye menjëherë pas lançimit. Inteligjenca artificiale nisi t’u përgjigjej edhe pyetjeve politike, mes tyre për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ndryshimet klimatike dhe emrin e Trump në dokumentet që lidhen me Jeffrey Epstein.

Disa nga këto përgjigje ndryshuan pak më vonë, ndërsa për disa pyetje politike sistemi nisi të thoshte se nuk do t’i trajtonte. Kjo ngriti pikëpyetje se si do t’i trajtojë platforma shtetërore temat politikisht të ndjeshme.