Ardhja e ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, gjeneralit në pension Eric Wendt këtë fundjavë, dhe nisja zyrtare e misionit të tij diplomatik, ka shtuar së tepërmi ankthin në ambientin politik shqiptar!

Secila palë politike ka pritshmëritë e veta, dhe në një formë apo tjetër e mendon ambasadorin e ri të SHBA, si një mbështetje për qëllimet e saj afatshkurtëra dhe afatgjata! Themi mbështetje, jo në kuptimin e përdorimit, por për vetë faktin se tashmë në Shqipëri ekziston bindja se, nëse nuk të mbështet SHBA, shtuar këtu dhe vendet anëtare të BE, duhet ta harrosh pushtetin në Shqipëri! Kaq jemi ne, jemi një vend i vogël dhe një pikë në hartën e madhe gjeopolitike, ku përplasen interesat e të mëdhenjve! Me një fjalë, kaq e kemi takatin!

Vetë fakti që, qeveria amerikane e Donald Trump emëroi në Tiranë si ambasador, një gjeneral në pension, tregon njëherësh edhe nivelin e lartë të vlerësimit të Shqipërisë, si një vend mik dhe partner i rëndësishëm në rajonin e trazuar të Ballkanit, dhe si i vetmi vend që ka pasur e ka një stabilitet të vazhdueshëm, pa ceduar në asnjë moment, në partneritetin e fortë me SHBA! Pra Shqipëria vijon të jetë një vend lider në rajon, aleat i sigurtë dhe i besueshëm për Amerikën!

E thënë me fjalë më të thjeshta, ambasadori i ri nuk vjen në Shqipëri për t’u marrë me punë të vogla dhe me cic-mice ballkanike, për vetë staturën e tij prej gjenerali me shumë yje, pavarësisht se opozita shqiptare e drejtuar nga Berisha ka bërë publike pritshmëritë e mëdha që ka ndaj gjeneralit në pension Eric Wendt!

Për hir të së vërtetës, opozita shqiptare ka një keqkuptim të madh, në radhë të parë me veten, pastaj me aleatin tonë të madh, SHBA, që e ka mbështetur, e mbështet dhe do t’a mbështesë dhe në të ardhmen Shqipërinë, e mbi të gjitha popullin shqiptar!

Keqkuptimi i opozitës filloi që në momentin kur emri i ambasadorit të ri kaloi testet e para në organet ligjvënëse amerikane, për të startuar më pas me emërimin e tij përfundimtar në Shqipëri dhe mbërritjen e tij për miratimin e kredecialeve këtë fundjavë që iku, tek presidenti Begaj!

Që atëherë, Berisha përmes njerëzve më të afërt të tij filloi të jepte ‘recetat’ e sjelljes dhe të radhëve të punëve që duhej të bënte ambasadori i ri amerikan sapo të mbërrinte në Tiranë, duke e drejtuar ‘tehun’ sipas këtyre ‘porosive’ të pakërkuara, te ‘goditja e narkoshtetit të Edi Ramës”, rrëzimin e tij nga qeverisja dhe hapjen e rrugës së ardhjes së PD dhe aleatëve të saj në pushtet!

Është një ‘film’ i parë shumë herë ky, pasi fantazia e njerëzve të PD e të vetë Berishës kishte shkuar shumë larg kohë më parë, deri atje sa hidhnin në media lajme, sikur Rama do të arrestohej në shtëpinë e tij në Surrel, do të vinin komandot amerikanë me helikopterë ‘Apashë” për ta marrë direkt me pranga në duar dhe ëndrra të tjera të këtij lloji, përmes të cilave lidershipi i PD ‘ushqente’ ditë pas dite e muaj pas muaji mbështetësit e tij, me idenë se SHBA do të rrëzojë Ramën dhe do të sjellë opozitën në pushtet! Pa u lodhur fare kjo opozitë, që po konsumon vetëveten këtu e 13 vite me radhë, pa futuar asnjë garë elektorale përballë rivalit politik, PS-së!

Dhe teksa fantazia nuk ndiqte ‘kursin’ e ndërrimit të ‘gjakut’ në pranverë e në vjeshtë por ndiqte nevojat e Berishës për të mbajtur afër vetes, si peng, ata pak demokratë të pashpresë, amplituda e spekulimeve me ndihmën amerikane për rrëzimin e Ramës nga pushteti pësoi një ngritje shumë të lartë, sidomos gjatë vizitës së Berishës në SHBA, përmes një vize të ‘artë’, të paguar nuk dihet se nga kush, me miliona dollarë vetëm e vetëm që të shkelte tokën amerikane, tokë e mohuar për shkak se lideri i PD është një non grata funksional familjarisht në SHBA, që nga viti 2021!

Këtë vizitë për arësye shëndetësore apo për takime politike, e kanë shfrytëzuar këtë klauzolë në ligjin amerikan para Berishës dhe lideri kuban Fidel Kastro e të nominuar të tjerë non grata nga SHBA, kreu i PD e paraqiti si një dritare e hapur nga SHBA për opozitën drejt pushtetit! Teksa bëri atë që ka bërë rëndom në SHBA, shtrëngimet e duarve koridoreve me kongresmenë, senatorë e delegatë të Konventës Republikane, si dhe takimet nëpër restorante e gjelltore me emigrantët shqiptarë, kryesisht nga vendlindja e tij, Tropoja, Berisha deklaroi pas rikthimit në Tiranë se kishte marrë mbështetje të fortë amerikane për rrëzimin e ‘narkoshtetit të Ramës’!

Madje Berisha arriti deri atje sa të thotë se nuk ka pasur shpallje non grata nga SHBA për të, vetëm bllokim të përkohshëm vize, pavarësisht se në faqen zyrtare të DASH, kreu i PD rezulton zyrtarisht person i shpallur ‘non grata’ me gjithë motivacionin e zgjeruar për këtë vendim, pra për korrupsion të lartë, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë!

Është vetë Berisha, ai që, teksa është pyetur nëse është i ftuar në ceremoninë që Ambasada e SHBA-së do të organizojë më 2 tetor për prezantimin e ambasadorit të ri, pranoi se nuk ka dijeni për eventin, kur deklaroi se “i uroj mirëseardhjen ambasadorit, nuk kam asnjë dijeni për ceremoninë”. Pra nuk ka ftesë, as si kreu i opozitës në këtë ceremoni zyrtare!

Ky ishte një ‘test’ të cilin kreu i PD nuk e kaloi në raport me SHBA-në, ambasadori i të cilit pritet ta trajtojë si paraardhësit e tij, si një person non grata familjarisht! Dhe nuk do të ketë asnjë shtrëngim duarsh madje, as takime ceremoniale dhe asgjë! Mbetet ‘non grata’, pavarësisht keqkuptimit shokues që ka krijuar tek mbështetësit e tij, të cilëve ua hapi kokën me deklaratat se s’ka qënë kurrë non grata në SHBA dhe se ka marrë mbështetje amerikane për të rrëzuar Ramën!

Por dhe Rama kontribuon fort në këtë keqkuptim të madh të Berishës e të opozitës, duke ua rritur pritshmëritë irreale për rrëzimin e qeverisë së PS dhe hapjen e rrugës për të ardhur në pushtet të Berishës e PD! Kështu u veprua dhe këto ditët e fundit, teksa Rama bëri një vizitë në SHBA, mori pjesë në punimet e OKB, ndërsa lajmëroi se do të japë një konferencë urgjente shtypi në Rinas, duke krijuar idenë e rrejshme se mund të japë dorëheqjen, a thua nuk donte të hynte në kryeqytet si kryeministër! Në Tiranë kishte shpërthyer edhe debati për arrestimin e ish kreut të SHISH, Vlora Hyseni dhe shkarkimit të menjëhershëm të saj, nga kryeministri Edi Rama!

Berisha ishte në delir, ndërkohë që në PD shpërthyen llogaritë si dhe shpenzimet për kostume e kravata, dhe secili kishte marrë në ‘dorëzim’ postin ministror që do të ‘merrte’ menjëherë pas ‘rrëzimit’ të Ramës! E mbështesnin këtë keqkuptim dhe mbi faktin se në të njejtën ditë kishte mbërritur në Tiranë edhe ambasadori i ri amerikan, i cili kishte sjellë sipas tyre, në ‘valixhen’ diplomatike, ‘fermanin’ e rrëzimit të Ramës por dhe ‘pagëzimin’ e Berishës kryeministër! Por që u zhgënjyen keq, teksa Rama u dha fund shpresave për një dorëheqje të mundshme teksa deklaroi në fund, se ‘sot unë jam kthyer në Shqipëri, po Shqipëria nuk kthehet pas.Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë’.

Këto ëndrra, për fat të keq ëndrra vjeshte në mes të ditës, ka 13 vite me radhë që shihen nga ana e Berishës dhe e mbështetësve të tij, ëndrra me karrige pushteti dhe poste të tjera të ardhura ‘llokum’ pa mund e djersë dhe pa vota në ballafaqimet elektorale, ndërkohë që zgjimi i gjen gjithnjë me një qeverisje të PS dhe me Ramën kryeministër! Dhe me sa duket kështu do të vijojë gjatë, shumë gjatë!

Pasi kështu pritet të ndodhë dhe në zgjedhjet e radhës vitin e ardhshëm për pushtetin vendor, ku opozita ende vijon të besojë ato që hedh Berisha për nevojat personale, i cili, i gjendur përballë vijimit të non gratas në SHBA dhe drejtësisë për akuzat e shumta që ka në kurriz, vazhdon t’i mbajë me gajret ata, se pushteti është afër. Në kilometrin e fundit me një fjalë, pavarësisht se ka vite që është stopuar në ‘kilometrin e fundit’! Pritet të ndodhë dhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në verën e 2029, për të shënuar humbjen e radhës përballë PS dhe Ramës!

Për hir të së vërtetës, realiteti është krejt tjetër, madje është një realitet aspak bujar për PD dhe opozitën! Për Berishën jo e jo, pasi me të kryetar, PD jo vetëm që nuk vjen kurrë në pushtet por do të shkojë me shpejtësi në amëshim, bashkë me liderin e saj 82 vjeçar! Ndërkohë që Rama, pret në Tiranë presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, teksa Shqipëria është vlerësuar nga KE, në krye të listës së vendeve prioritare për anëtarësim në BE!

E themi këtë, sepse ambasadori i ri amerikan, gjenerali në pension Eric Ëendt, është përfaqësues i shtetit amerikan dhe mbi të gjitha përfaqëson qeverinë amerikane të drejtuar nga Trump! Axhenda diplomatike e ambasadorit të ri ka prioritet interesat amerikane në rajon, kontributin për të bllokuar shtrirjen e indikimit rus në Shqipëri dhe në rajon, përkrahjen e biznesit amerikan në Shqipëri,  përmes asaj që ai në prirotetet e tij e quan diplomaci ekonomike, përfshirë këtu për pasojë edhe investimin madhor amerikan ku është pjesë edhe dhëndri e vajza e Trump, në Sazan e Zvërnec, dhe mbi të gjitha forcimin e krahut lindor të NATO-s, përballë agresionit rus!

Në këtë kontekst, ambasadori i ri, në bashkëpunim dhe me institucionet shqiptare, si prioritet të prioriteteve ka përgatitjet për samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Shqipëri vitin e ardhshëm, u konfirmua kjo dhe në samitin e Ankarasë, ku pritet të jetë prezent dhe vetë presidenti amerikan, Donald Trump! E kjo kërkon një impenjim tepër të madh, në bashkëpunim me strukturat shqiptare të sigurisë dhe qeverinë Rama, duke mos lënë asnjë shpresë për Berishën dhe opozitën në ëndrrën e tyre për të ardhur ‘qyl’ pa vota në pushtet, përmes ‘zbarkimit aleat’! Megjithatë, askush nuk e ndalon Berishën që të ëndërrojë. Pavarësisht se, në ndryshim nga gjithë frymorët e tjerë që endrrat i kanë pa lekë, Berisha i ka ëndrrat miliona dollarshe!