TIRANE-Shtetet e Bashkuara mund të jenë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare për eliminimin e armëve kimike siriane. Kjo pohohet nga revista e specializuar amerikane për çështjet diplomatike “Foreign Policy”, që zakonisht është e mirëinformuar nga qarqe zyrtare.

Revista citon burime konfidenciale nga diplomatët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilët thonë se plani amerikan, që ende nuk është bërë publik, parashikon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të pajisin Shqipërinë me laboratorë të posaçëm për eliminimin e gazit nervin.

Nga pala shqiptare nuk ka pasur deri tani asnjë reagim për këtë çështje. Diplomatët shqiptarë në Kombet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesën e gazetarëve të “Foreign Policy” për komente lidhur me negociata mes palëve. Kurse ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka pranuar për gazetën franceze "Le Monde" se qeveria shqiptare është kontaktuar tashmë nga Uashingtoni për këtë çështje, por pa dhënë detaje të tjera.

Shqipëria nuk është i vetmi vend i kontaktuar. Kjo, pasi fjala është për 1.300 ton armë kimike, me një kosto të përgjithshme të shkatërrimit që mund të arrijë në 1 miliard dollarë. Këtë shifër, që mbulon të gjithë procesin dhe jo vetëm fitimin e vendit që do t’i shkatërrojë, e ka konfirmuar presidenti sirian Bashar al Assad, i cituar nga agjensia britanike e lajmeve Reuters. 

Nevojën për shtimin e fondeve nga qeveritë botërore e ka pohuar edhe vetë Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, që po mbikqyr procesin e shkatërrimit te ketyre armeve. Drejtuesit e saj japin shifra më të ulta, që arrijnë në qindra milionë euro. Deri tani janë shpenzuar 10 milionë euro për të inspektuar fabrikat ku janë 1 mijë e 300 ton materiale kimike ushtarake, ndër të tjera edhe gaz Zarin e Nervin. Për të vijuar procesin, fonde ka deri në fund të këtij muaji. Sipas Reutersit, Britania e Madhe ka premtuar një fond minimal prej 3 milionë dollarësh për vendet që do të shkatërrojnë arsenalin sirian.Është thënë gjithashtu se Rusia do të ofronte vetëm 2 milionë USD. 

Qeveria siriane i kërkon OKB mjete me vlerë dhjetëra milionë dollarë, përfshirë 40 kamione të blinduar, kamera të avancuara, kompjuterë, radio, 13 gjeneratorë, 5 vinça dhe 5 pirunë transportues. Ndërkohë, 20 konteinerë 2 mijë litërsh metali të veshur me teflon për mbajtjen e gazrave helmues, 10 ambulanca, 10 zjarrfikëse, si edhe 10 autobote 10 mijë litërsh me ujë janë kërkuar gjithashtu si masë sigurie për të shoqëruar autokolonën gjatë transportit të helmeve nga Homs dhe Damasku drejt Portit Mesdhetar të Latakias, nga ku mund të udhëtonin edhe drejt Shqipërisë.
 
Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)