Gjykata supreme e SHBA, vendosi të premten të rrëzojë tarifat gjithëpërfshirëse të presidentit Donald Trump, të cilat ai i kishte ndërmarrë në bazë të një ligji të destinuar për përdorim në raste emergjencash kombëtare, duke hedhur poshtë një nga pretendimet e tij më të debatueshme mbi autoritetin presidencial, në një vendim me pasoja të mëdha për ekonominë globale.
Gjyqtarët, me një vendim 6-3 të hartuar nga kryetari konservator i Gjykatës, John Roberts, lanë në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët se përdorimi nga presidenti republikan i këtij ligji të vitit 1977 kishte tejkaluar kompetencat e tij.
Sot, tre gjyqtaret liberale — Ketanji Brown Jackson, Elena Kagan dhe Sonia Sotomayor — si edhe tre gjyqtarët konservatorë — Amy Coney Barrett, Neil Gorsuch dhe John Roberts — votuan për të rrëzuar tarifat e Trump-it.
Roberts, duke cituar një vendim të mëparshëm të Gjykatës Supreme, shkroi se “presidenti duhet ‘të tregojë autorizim të qartë nga Kongresi’ për të justifikuar pretendimin e tij të jashtëzakonshëm për fuqinë për të vendosur tarifa”, duke shtuar: “Ai nuk mundet.”
Presidenti amerikan u citua nga mediat amerikane të ketë cilësuar vendimin sit ë turpshëm.
Trump i ka përdorur tarifat doganore mbi mallrat e importuara si një mjet kyç të politikës ekonomike dhe të jashtme. Ato kanë qenë qendrore në një luftë tregtare globale që ai nisi pas fillimit të mandatit të tij të dytë si president, duke larguar partnerët tregtarë, ndikuar tregjet financiare dhe shkaktuar pasiguri ekonomike globale.
Gjykata Supreme arriti në këtë përfundim pas një sfide ligjore nga biznese të prekura nga tarifat dhe 12 shtete amerikane, shumica e tyre të drejtuara nga demokratë, kundër përdorimit të paprecedentë nga Trump të këtij ligji për të vendosur në mënyrë të njëanshme taksat mbi importet.
Tarifat e Trump parashikohej të gjeneronin triliona dollarë të ardhura për Shtetet e Bashkuara gjatë dekadës së ardhshme, vendi me ekonominë më të madhe në botë. Procesi gjyqësor në Gjykatën Supreme përbëhej nga tre padi të veçanta, të cilat u bashkuan për qëllime të argumenteve verbale. Në prag të vendimit Presidenti amerikan pishte paralajmëruar se ka një plan B në rast se gjykata do tia rrëzonte tarifat.
Komente








