Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka sekuestruar sot një cisterne nafte me flamur rus në ujërat e Atlantikut të Veriut.

Sipas US European Command, anija Marinera, e njohur më parë si Bella 1, është marrë nën kontroll për shkelje të sanksioneve të SHBA-së.

Operacioni është kryer në sinkron mes Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Departamentit të Mbrojtjes, mbi bazën e një urdhri të lëshuar nga një gjykatë federale amerikane. Rojet bregdetare amerikane po e ndiqnin anijen prej disa ditësh përpara se të ndërhynin. 

Sipas mediave amerikane, cisterna është e lidhur me interesa venezueliane dhe dyshohet se ka transportuar ose ka tentuar të transportojë naftë në shkelje të regjimit të sanksioneve. Anija u ndalua pranë zonës ekonomike ekskluzive të Islandës, ndërsa autoritetet islandeze po monitoronin lëvizjet e saj.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se “bllokada ndaj naftës së sanksionuar venezueliane mbetet plotësisht në fuqi, kudo në botë”, duke sinjalizuar vijimin e operacioneve të tilla.

Rusia reagoi gjithashtu duke kërkuar trajtimin njerëzor të shtetasve rusë në bordin e Marinerës dhe kthimin sa më të shpejtë të tyre në Rusi. 

Në media, pati raportime se Moska kishte dërguar një nëndetëse në mbrojtje të anijes cisternë, por nëndetësja kishte mbërritur me vonesë. 

Ngjarja vjen në një moment tensionesh të shtuara ndërkombëtare, pas kapjes së Nicolas Maduros dhe bashkëshortes së tij nga forcat amerikane. Pas arrestimit të Maduros, sekuestrimi i cisternës konsiderohet si një goditje e fortë ndaj flotave në hije që transportojnë naftë për Rusinë, Iranin dhe Venezuelën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:56
A po eksperimenton Amerika me Venezuelën? Rubio: Strategji e bazuar tek nafta!

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio me gazetarët

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mohon kritikat se Uashingtoni po “eksperimenton” në Venezuelë dhe shpjegon strategjinë e SHBA-së për vendin pas operacionit kundër Nicolas Maduro.

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, tha sot se politika amerikane ndaj Venezuelës bazohet në një strategji e strukturuar që përfshin kontrollin mbi naftë , të cilën e sheh si një “mjet të jashtëzakonshëm” për të shtyrë ndryshime politike dhe ekonomike në vend.

Gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Rubio u përpoq të qetësojë kritikat e senatorëve dhe palëve të tjera që kanë akuzuar Uashingtonin se vepron pa një qasje të qartë. Ai ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk synojnë të qeverisin Venezuelën në mënyrë direkte, por të mbajë në fuqi një “karantinë energjetike” për naftën.

 “Ne do të vazhdojmë me atë karantinë, dhe ne presim të shohim që do të ketë ndryshime që jo vetëm avancojnë interesin kombëtar të SHBA-së — që është numër një — por gjithashtu që çojnë drejt një të ardhme më të mirë për popullin e Venezuelës,” tha ai.

“Naftën e Venezuelës do ta shesim me çmimet e tregut, dhe paratë do të menaxhohen nga SHBA, e cila do të kontrollojë shpërndarjen e tyre të drejtpërdrejtë tek populli i Venezuelës”, tha ai.

Rubio gjithashtu sqaroi se qëllimi i SHBA-së nuk është të “qeverisë” Venezuelën, por të përdorë instrumentet ekonomike dhe politike në mënyrë të mençur për të arritur objektivat e politikës së jashtme në Hemisferën Perëndimore, duke shmangur një prani ushtarake të drejtpërdrejtë në terren.

Ora 17:39
Sekuestrimi i anijes cisternë me flamur rus, reagon Moska: Trajtim njerëzor për stafin e Marinerës

Helikopterë amerikanë pranë anijes cisternë Marinera

Rusia ka reaguar pas sekuestrimit të anijes cisternë Marinera me flamur rus në ujërat e Atlantikut të Veriut, nga autoritetet amerikane, duke kërkuar që shtetasit rusë në bordin e saj të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Washingtoni duhet të garantojë “trajtim njerëzor dhe korrekt për qytetarët rusë që ndodhen në bordin e Marineras”, si dhe të respektojë plotësisht të drejtat dhe interesat e tyre.

Në reagimin zyrtar thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të pengojnë kthimin sa më të shpejtë të këtyre shtetasve në Rusi.

Ministria ruse e transportit deklaroi se anija cisternë "kishte një leje të përkohshme" për të mbajtur flamurin rus dhe se "asnjë shtet nuk ka të drejtë të përdorë forcën kundër mjeteve të regjistruara në juridiksionet e vendeve të tjera". 

Nga ana tjetër, zyrtarët rusë nuk thanë asnjë fjalë mbi raportimet e mediave se Moska vetë kishte dërguar një nëndetëse në mbrojtje të anijes cisternë, por nëndetësja kishte mbërritur me vonesë.