Kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar sërish pas vendimit të SHBA për ta përjashtuar nga ndalimi për të hyrë në Uashington. Në një reagim në rrjetet sociale, vetë Berisha nuk tha që non gratën ia kanë hequr, por vetëm shkroi se tashmë mund të udhëtonte në SHBA. Sipas Berishës, nga ky vendim preken edhe familjarët e tij, bashkëshortja Lirie dhe dy fëmijët Shkëlzeni dhe Argita që po ashtu u futën në listën e zezë të SHBA 5 vite më parë.
Berisha shkruan se u korrigjua një vendim që ai e cilëson si të padrejtë, por një ditë më parë në një reagim për Report Tv, DASH nuk sqaroi nëse vendimi për ta përjashtuar nga ndalimi për të udhëtuar drejt SHBA është i përkohshëm apo i përhershëm. DASH tha se ky vendim i shërben interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Reagimi i Sali Berishës
Të dashur miq,
Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime.
Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros.
Unë falënderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptar dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagen time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.
Mirënjohje të veçantë dua t'u shpreh sot mbi gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, të cilët, në kushtet tejet të vështira të një autokracie elektorale dhe një narkoregjimi, votuan për mua dhe Partinë Demokratike.
Duke përfunduar, ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të vazhdojmë pa rreshtur përpjekjet tona për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë.
Me argumentet se është i korruptuar dhe minues i demokracisë, më 19 maj 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën Sali Berishën “non grata”, së bashku me familjen e tij të ngushtë, bashkëshorten dhe 2 fëmijët, Liri Berishës, Shkëlzen Berishës dhe Argita Berisha Malltezit. Vetë ish Sekretari amerikan Blinken e cilësonte Berishës si të përfshirë në veprime korruptive dhe se ka përdorur pushtetin e tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes.
Komente






