SHBA i ka kërkuar SPAK hetimin e ‘non gratës’ së Berishës, pse ka frikë?!

SHBA i ka kërkuar SPAK hetimin e ‘non gratës’ së Berishës, pse ka frikë?!

Gabriel Escobar dhe Berisha

Shtetet e Bashkuara të Amerikës paskan kërkuar që herët nga SPAK hetimin e shpalljes “non grata” nga DASH të Sali Berishës. Dhe Prokuroria e Posaçme nuk paska vepruar asnjëherë për këtë akt.

Këtë e deklaroi një ditë më parë i dërguari i qeverisë amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. I cili u ka bërë thirrje sërish institucioneve shqiptare që ta hetojnë ‘non gratën’ e Sali Berishës, pasi është i bazuar në fakte dhe prova. E tha në një intervistë tek VOA. Dhe institucioni i vetëm i hetimit në Shqipëri, i ngritur me mbështetjen e SHBA, është SPAK.

“Vendimi për ta përcaktuar(sanksionuar) atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual e s’ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në PD, ne duam që PD të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të PD të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion”, deklaroi një ditë më parë Escobar për ‘Zërin e Amerikës’.

Pra, Escobar përsëriti dhe njëherë se ka fakte dhe prova të cilat kanë çuar në vendimin për të shpallur Berishën tër padëshiruar në SHBA, duke nënvizuar se janë prova të cilët i kanë gjetur në institucione. Njëherësh ai ka lënë për të kuptuar se ato mund të përdoren dhe nga SPAK për të filluar hetimet.

Dhe kur deklarata është publike pikërisht nga i dërguari i qeverisë amerikane për Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në VOA, kjo tregon qartë se në takimet e herëpashershme të kreut të SPAK në Shqipëri apo gjatë vizitave të Uashington, me përfaqësues të qeverisë amerikane, atij i është kërkuar fillimi i këtij hetimi.

Deri më tani përpos disa deklaratave evazive të kreut të SPAK në largim Arben Kraja, se po hetohet, ka thënë për të gjitha dosjet e rënda të korrupsionit në Shqipëri kështu, asnjë hetim nuk e ka parë ‘dritën e diellit’ i kopsitur dhe i bërë gati në dosje për ta dërguar në Gjykatën e Posaçme.

Për më tepër kur bëhet fjalë për neglizhimin apo mos-marrjen parasysh të faktit se “non grata” për korrupsion të theksuar për Berishën është vendim i marrë nga SHBA, tregon se SPAK ka një hall të madh që e pengon të fillojë këtë hetim të kërkuar e rikërkuar nga qeveria amerikane. Që këmbëngul se ka prova e fakte, që janë gjetur, kuptohet në Shqipëri. Dhe halli i SPAK mund të jetë i shumëllojtë, por ne po evidentojmë tre elementë.

E para, refuzimi i hetimit të kërkuar nga SHBA për ‘non gratan” e Berishës nga ana e SPAK na shton dyshimin se institucioni më i lartë i hetimit të drejtësisë së re, është një vijim i drejtësisë së vjetër. E thënë me fjalë të thjeshta anëtarët e SPAK janë e njëjta “markë” prokurorësh me ata të cilët mbeten në vetting, dhe thjeshtë e vetëm nga pamundësia nuk arritën që të kenë pasurinë që kishin vënë ata të cilët u pasuruan për shkak të lidhjeve më të forta me politikën dhe me ‘dizonaurët’ e politikës në këto 30 viteve.

Pra janë më të ndershëm nga pamundësia për ta “ngjyer” tamam ‘gishtin’ në llumin e abuzimit me pushtetin e sistemit të drejtësisë, për shkak të dominimit të këtij ‘sektori’ nga ana e ‘ujqërve’ të drejtësisë të cilët i merrnin dosjet me shumë lekë, përmes ‘goglave’ që zgjidhnin me ‘short’ vetëm emrin e tyre, për gjykimin e këtij kontigjenti dosjesh. Pikërisht sto dosje të krimit dhe korrupsionit, ku aktorëve të së keqes nuk u kushtonte asgjë të hidhnin para për të ‘dorovitur’ drejtësinë dhe për të shpëtuar nga burgu. Dhe më pas për të gëzuar e shtuar paratë me skema më të sofistikuara të abuzimit dhe krimit të organizuar.

E dyta, hezitimi i SPAK për të hetuar dosjet e rënda të korrupsionit dhe të krimit të zyrtarëve të lartë të politikës shqiptare, na bën për të dyshuar se ka ardhur për shkak të lidhjeve të dyshimta me “dinozaurët” e politikës. Duke arritur deri në atë shkallë sa ka zëra që janë emëruar në këtë institucion të lartë të hetimit të drejtësisë së re, edhe me lobimin e këtij kontigjenti politikanësh e zyrtarësh të korruptuar, që të jenë aty për t’i mbrojtur nga akuzat e dënimi për zullumet e shumta që kanë kryer gjatë tërë kësaj periudhe post-komuniste.

Nuk është rastësi që ka pjestarë të këtij institucioni që kanë qënë në strukturat qeveritare pranë ndonjërit prej ‘dinozaurëve’ të politikës dhe të korrupsionit, dhe janë katapultuar në Prokurorinë e Posaçme për të qënë ‘koracë’ mbrojtëse e tyre sa herë që të jenë në hall. Dhe halli ka ardhur tashmë, pasi Berisha dhe Meta kanë 8 dosje në SPAK, asnjëra prej të cilave nuk është hapur jo më të jetë hetuar. Pra janë mbështetur dhe për të zvarritur hetimin e këtyre dosjeve të rënda të korrupsionit deri në lodhje, për t’i mbyllur më pas përfundimisht.

Jo rastësisht pjestarë të këtij institucioni kanë pasuri përtej ‘takatit’ të një rrogtari, por dhe vila miliona euroshe në një nga zonat më të shtrenjta në Shqipëri, në Gjirin e Lalzit apo dhe tërë vijën bregdetare shqiptare. Janë ‘shokë lagjeje’ për të mos lënë pa hedhur dyshime dhe për “direktivat’ e dhëna se, cilat dosje duhet të merren nën hetim, kryesisht ato të kundërshtarëve politikë të mazhorancës aktuale, e cilat duhet të merren në parat, për t’i përdorur më pas si kauzë politike sa herë që ta lypë nevoja.

E treta, refuzimi i kërkesës së aleatit tonë më të madh dhe mbështetësit kryesor të reformës në drejtësi, pra dhe Prokurorisë së Posaçme, SHBA-së për të hetuar “non gratën” e Berishës, kemi dyshimin e arsyetuar se ka ardhur për shkak të frikës prej ‘dinozaurëve’ të politikës. Nuk është habi që prokurorët e SPAK të jenë kërcënuar dhe paralajmëruar për të mos filluar hetimin për shpalljen ‘non grata’ me prova dhe fakte të Berishës, pasi se ka prova dhe fakte e tha njëri ndër zyrtarët më të lartë të DASH, i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor.

Madje dhe ambasadorja amëerikane në Tiranë më se njëherë i ka bërë thirrje SPAK që të mos ketë frikë nga kërcënimet e atyre që kanë para dhe të fuqishmëve politikë në Shqipëri, duke garantuar mbështetjen e Uashingtonit për të bërë drejtësi në këtë vend. Fundja në atë pozicion janë vënë për të mos pasur frikë nga asnjë kërcënim, vetëm frikë nga ligji.

Por as garancia e SHBA dhe as detyrimi ligjor e kushtetues për të hetuar të parat pikërisht ato dosje të rënda korrupsioni e krimit të organizuar që kanë prova dhe fakte, dhe ‘non grata” e Berishës po sipas Uashingtonit i ka këto dy elementë të fortë për të filluar një hetim, nuk e ka forcuar ‘zemrën’ e prokurorëve të posaçëm që të bëjnë detyrën për të cilën janë zgjedhur aty, janë trajnuar por dhe janë trajtuar deri në maksimum financiarisht e në të gjithë elementët e tjerë nga shteti shqiptar.

Do të thotë ndokush se nuk kanë “këllqe” për të mposhtur frikën dhe për të hetuar “non gratën” e Berishës, anipse e kërkojnë me këmbëngulje amerikanët, që me shumë gjasa u kanë dhënë dhe ndonjë dosje të kopsitur provash dhe faktesh. E themi këtë se ka marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi mes dy vendeve edhe për hetimin. Ka të përfshirë në këtë “paketë” bashkëpunimi dhe shkëmbimi të informacioneve e provave për çështje të caktuara.

Aq më tepër kur bëhet fjalë për një të sanksionuar nga SHBA siç është Sali Berisha që u shpall “non grata’ familjarisht për korrupsion të theksuar pikërisht mbi bazën e fakteve dhe provave që janë gjetur. Nuk lodhemi ta themi sërish se këtë fakt e deklaroi publikisht zyrtari i lartë amerikan Escobar, i cili ka nën ‘kujdes’ Ballkanin Perëndimor, pjesë e të cilit është dhe Shqipëria.

Ja ta zëmë se janë kërcënuar, sikurse e pranoi një ditë më parë dhe vetë kreu në largim i SPAK Arben Kraja. Po mirë kujt i ankohet kreu i SPAK duke bërë viktimën. Ky institucion hetimi është ngritur për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe presupozohet se duke kryer këtë detyrë mbron dhe qytetarët shqiptarë, që paguajnë rëndshëm që prokurorët të bëjnë punën e tyre.

Ndërkohë që jo vetëm nuk hetojnë dot abuzimin e zyrtarëve të lartë, jo vetëm bën ndërhyrje parciale sipas ‘direktivave’ të marra në Gjirin e Lalzit, por Prokurorët e SPAK nuk mbrojnë dot as veten. Madje shkelin dhe ligjin për moskallzim krimi, pasi deklarojnë se janë kërcënuar por nuk thonë emrat se nga kush janë kërcënuar. Kërcënim për dosje themi. As emrin nuk ua përmendin, jo më të ketë ndonjë shpresë se mund të hetohen për abuzime dhe krime.

Pse të lërë hapësirë dyshimi e hamendësimi për shqiptarët dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, në lidhje me emrat e kërcënuesve. Le t’i denoncojnë dhe hetojnë, për të treguar se sëpaku se janë të aftë të mbrojnë veten nga kërcënuesit për shkak të detyrës e më pas të përcjellin besimin dhe besueshmërinë edhe tek qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë se nuk e hanë kot ‘bukën” e shtetit.

Dhe nuk janë për një këtë të shkurtër anëtarë të SPAK. Një anëtar i SPAK është zgjedhur për një mandat 9 vjeçar. Shqiptarët duhet të jenë të bindur se do t’i paguajnë këta frikamanë dhe parazitë funksionalë me paga milionëshe e trajtim të jashtëzakonshëm, edhe familjar, dhe 6 vite të tjera. Pasi 3 vite i bënë. Thjesht dhe vetëm për të qëndruar në zyrë, pa bërë kokërr hetimi.

Kur nuk merr nën hetim ‘non gratën” e Berishës, të cilin e kanë sanksionuar vetë amerikanët duke u dhënë dhe “kartabiankën” se ka me bollëk prova e fakte, mbi bazën e të cilave është marrë vendimi i DASH, askush të mos mendojë se SPAK do të hapë ndonjë dosje tjetër. Larg qoftë kjo, as që do e marrin mundimin për këtë punë.

E kemi mbështetur për të gjitha hetimet që SPAK ka ndërmarrë deti më tani, qoftë dhe me “direktivë” Lalzi. Ata që kanë abuzuar apo ka dyshime se kanë bërë korrupsion apo krime duhet të hetohen, pavarësisht se cilës palë politike i përkasin. Ose të shkojnë në burg ose të shpallen të pafajshëm. Mirë kanë bërë që kanë hetuar dhe po hetojnë, që kanë dërguar politikanë në qeli. Por duhet të vazhdojmë me dosjet e rënda tani.

Të paktën ato dosje që SHBA i kërkon me insistim të hetohen, madje bën dhe thirrje të njëpasnjëshme, duke të treguar se ka dhe prova e fakte, pasi shteti amerikan nuk mer vendime në hava, SPAK duhet të marrë mundimin t’i hapë. Thjeshtë dhe për korrektesë apo kthim “nderi” institucional për mbështetjen që Uashingtoni i ka bërë Reformës në Drejtësi. Por dhe për të justifikuar besimin e shqiptarëve.

Në fund të herës, duke parë se dhe besimi i qytetarëve shqiptarë tek drejtësia e re ka rënë ndjeshëm, për shkakun e vetëm të mungesës së “këllqeve” të SOAK por dhe ndonjë interferimi të politikës në punën e ndonjërit prej tyre, çka na prezanton një të ardhme të zymtë për hetimin e “peshqve të mëdhenj” të korrupsionit në Shqipëri, ia vlen të ripërsërisim domosdoshmërinë që partnerët tanë ndërkombëtarë duhet të marrin në konsideratë krijimin e një prokurorie e gjykate speciale me prokurorë dhe gjyqtarë të huaj, në mënyrë që të hetojnë korrupsionin në Shqipëri.

Jo vetëm që do të hetonin pa asnjë ndikim nga politika dhe “dinozaurët” e politikës shqiptare, por do ‘shuanin’ dhe justifikimin e tyre se po goditen politikisht nga “drejtësia e kapur nga Rama”. Dhe shqiptarët do ta besonin një drejtësi të tillë, pasi ata duan drejtësi fundja, ngado që të vijë. Aq më tepër nga aleatët tanë SHBA, BE e Britania, që u besojmë mbi 90 përqind e tyre.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Luma: 27/10/2022 06:41

    Mire qe shkruan shume e per lume por ani pse kaq bylmek? Crendesi ka ose jo ka apo jo frike Berisha nese hetohet. Si plas kujt. Spak dhe cdo prokurori ne vend nuk ka nevoje madje eshte e ndaluar te intimidohet ne punen e saj perfshire rrembythjet nga matane detit. Na dalin gomeret tane me Ramen ne krye e kalojne.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar