SHBA, e bindur në vërtetësinë e njoftimeve se Rusia po lëviz trupa ushtarake në kufrin me Ukrainën, i kërkoi Moskës të shpjegojë “provokimet”; gjithashtu Uashingtoni është i gatshëm të angazhohet në lidhje me këtë situatë, tha të hënën Departamenti i Shtetit.
Njoftimet për lëvizjen e trupave në kufi me Ukrainën lindore janë bërë një burim i ri tensionesh në marrëdhëniet e akullta SHBA-Rusi, më pak se tre muaj që ardhja në pushtet e administratës së re amerikane.
Zëdhënësi i Departamentit të Shetit, Ned Price tha në një konferencë për shtyp se SHBA do të shqetësohej nga çdo përpjekje e Moskës për të frikësuar Ukrainën, qoftë për masa që ndodhin në territor rus apo brenda kufirit ukrainas.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
Ai nuk pranoi të thoshte nëse SHBA beson se Rusia po përgatitet të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë.
Zëdhënësi Price tha më pas për agjencinë e lajmeve Reuters se SHBA janë “të hapura për angazhim me Moskën” lidhur me këtë situatë, duke i cilësuar të besueshme njoftimet për lëvizje të trupave ruse në kufirin me Ukrainën dhe në Krime, gadishulli që u aneksua nga Rusia në 2014.
Lëvizjes së trupave, tha zoti Price, i parapriu shkelja e armpushimit të 2020 me Ukrainën, që ka rezultuar në vdekjen e katër ushtarëve ukrainas dhe plagosjen e katër të tjerëve.
“I bëjmë thirrje Rusisë të tregohet e frenuar dhe të shmangë aktet acaruese,” tha zëdhënësi.
Komentet e tij pasojnë një telefonatë të premten mes Presidentit Biden dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelenskiy, në të cilën udhëheqësi amerikan e siguroi zotin Zelenskiy për “përkrahjen e patundur” të Amerikës në ballafaqimin me separatistët e mbështetur nga Rusia që kontrollojnë rajonin lindor të Donbasit.
Të hënën Rusia përgënjeshtroi njoftimet se lëvizja e trupave përbën kërcënim për Ukrainën, duke hedhur poshtë shqetësimet për përforcime ushtarake në kufi, por njëkohësisht duke u zotuar se do të kundërpërgjigjet kundër sanksioneve ukrainase ndaj kompanive ruse.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha në komentet për shtyp se Shtetet e Bashkuara po e ndjekin me vëmendje situatën.
"Kemi kërkuar shpjegime nga Rusia për këto provokime,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Price. I pyetur nëse lëvizja e trupave përbën frikësim për Ukrainën, zoti Price u përgjigj: “Pa diskutim. Rusët prej kohësh janë përpjekur të frikësojnë dhe ushtrojnë bulizëm mbi fqinjët”.
Perëndimi, Ukraina dhe NATO e akuzojnë Rusinë se po dërgon trupa dhe armatime të rënda në kufi për t’u dhënë zemër separatistëve. Moska thotë se thjesht u ofron atyre mbështetje humanitare./VOA
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)