Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u ka bërë thirrje iranianëve që të dërgojnë video dhe informacione të tjera që dokumentojnë dhunën e qeverisë ndaj protestuesve pasi Washingtoni do të sanksionojë abuzimet.

“U kam kërkuar protestuesve iranianë të na dërgojnë videot, fotot dhe informacionin e tyre që dokumentojnë goditjen e regjimit ndaj protestuesve. SHBA-ja do të ekspozojë dhe sanksionojë abuzimet”, tha Pompeo.

Irani po përballet me protesta të fuqishme, të cilat u nxitën nga një vendim i qeverisë për të kufizuar blerjet e naftës dhe shkurtimin e subvencioneve.

Sipas burimeve, numri i të vrarëve ka shkuar në 200.

Zyrtarët iranianë kanë pranuar vdekjen e vetëm disa personave dhe i kanë konsideruar protestuesit “banditë” dhe pjesë të një “komploti” të “armiqve të huaj” të Teheranit.