Para shtimit të tensioneve me Kinën si edhe sinjaleve kërcënuese nga Koreja e Veriut, SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia afrohen më shumë. Për herë u takuan në një samit krerët e tre shteteve.
Në një samit të tre vendeve, SHBA, Koresë së Jugut dhe Japonisë u theksua solidariteti mes tyre dhe u dërgua një sinjal i qartë ndaj Kinës dhe Koresë së Veriut. Presidenti amerikan, Joe Biden,presidenti koreano-jugor, Yoon Suk Yeol dhe kreu i qeverisë japoneze, Fumio Kishida u takuan në rezidencën e presidentit amerikan, Camp David pranë Uashingtonit. Biden bëri fjalë për një "epokë të re partneriteti". Dhe jo "për një ditë, një javë apo një muaj, por për dekada e dekada."
Yoon theksoi, se, Camp David do të "mbetet në kujtesë si një vend historik, në të cilën Republika e Koresë, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara bënë të ditur, se duan të forcojnë rendin botëror të bazuar në rregulla dhe do të luajnë rol kyç për të rritur sigurinë rajonale dhe mirëqenien."
"Sjellje agresive" e Kinës në Indo-Paqësor
Në një deklaratë të përbashkët, Biden,Yoon dhe Kishida dënuan "sjelljen e rrezikshme dhe agresive të Kinës" në Detin Jugor Kinez. "Ne jemi në mënyrë strikte kundër tentative për të ndryshuar status quonë në ujërat e Indo-Paqësorit". Kina, një fuqi ushtarake në rritje ngre pretendime për hapësira të mëdha në Detin Jugor Kinez.
SHBA fajësojnë udhëheqjen në Pekin prej kohësh, se ndjek një kurs të ekspansionit dhe se nuk kanë përjashtuar një pushtim ushtarak të Tajvanit. Kina akuzon Uashingtonin nga ana e saj, se synon sundimin global. Në fillim të korrikut Republika Popullore e Kinës kishte apeluar tek Japonia e Koreja e Jugut, të rezistojnë "ndaj detyrimit për frikësim dhe sundim" pa e përmendur SHBA. Konkretisht krerët e tre vendeve ranë në ujdi, krahas mbajtjes së takimeve të përvitshme dhe manovrave ushtarake të shtojnë shkëmbimin e informacionit për startimet e raketave dhe aktiviteteve kibernetike të Koresë së Jugut si edhe një bashkëpunim më të madh në mbrojtjen ndaj raketave balistike. Po ashtu do të ketë një "hotline" për raste të veçanta krize.
Koreja e Jugut dhe Japonia - afrim për shkak të Koresë së Veriut
Që para samitit u konsiderua si sukses afrimi mes Japonisë dhe Koresë së Jugut. Mes të dy vendeve si gjithmonë ka diferenca të mëdha në qëndrimet lidhur me zhvillimet historike në vitet 1910 dhe 1945, kur e gjithë Koreja ishte një koloni japoneze. Atëkohë koreanët u dërguan në punë të detyruar dhe gratë u trajtuan si skllave seksi.
Ndërkohë si për Japoninë edhe Korenë e Jugut kërcënimi nga Koreja e Veriut luan rol vendimtar në forcimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Udhëheqja koreanoveriore vazhdon me forcimin e programit atomik dhe raketor, ajo përdor një retorikë të e ashpër kundrejt armikut të vjetër, SHBA.
Edhe vendi i samitit të parë mes të tre vendeve u zgjodh i mirëmenduar. Camp David në shtetin federal, Maryland është një vend me simbolikë historike në diplomacinë botërore. Ndër të tjera në vitin 1978 aty u arrit një marrëveshje historike mes Izraelit dhe Egjiptit që çoi në marrëveshjen e paqes më vonë mes dy vendeve./DW