SHBA - Një i pastrehë në SHBA, ka dorëzuar në polici një çantë shpine, e cila kishte lekë dhe çeqe udhetarësh. Pas verifikimeve, policia arriti të gjente pronarin e çantës.
Pasi lexoi lajmin, një njeri i zakonshëm, Ethan Whittington, vendosi të hapte një fond për mbledhje parash online, për Glen James, personin e pastrehë i cili dorëzoi çantën në polici.

Tashmë, Ethan Whittington planifikon të takojë z. James për t’i dhënë paratë. “Fakti që ai është i pastrehë, dhe bëri atë gjest, më shokoi”- tha z. Whittingon për Associated Press.

Ai tha se idea e tij për të mbledhur fonde në ndihmë të të pastrehut, në adresë të njohur për shumë përdorues, u përhap me shpejtësi të madhe.

“Më mbushi me shpresë. Kjo nuk është vetëm për të shpërblyer një njeri të madh. Besoj se është një deklaratë e fortë për këdo në Amerikë. Nëse ne bashkohemi dhe punojmë drejt diçkaje dhe punojmë të gjithë bashkë, atëherë ne mund t’ia arrijmë”.

Ndërkohë z. James, një ish-punonjës i gjykatës së Boston-it, tha se ai nuk do të kishte mbajtur as një qindarkë nga lekët që gjeti në çantë, as nëse do të ishte i dëshpëruar.
Fondet e mbledhura për Glen James shkuan më shumë se 110 mijë dollarë. Duket se ditët e tij si një i pastrehë, mbaruan.