TIRANE- “Ju jeni Marjan Rroku, nga Shqipëria?” Personi përballë, që kishte hapur derën e apartamentit, u përgjigj me qetësi: “Jo, zotëri, keni gabuar person, unë jam Jeton Mirakaj, me shtetësi sllovene, urdhëroni dokumentet”.

Kevin Konëlli, me detyrë “marshall federal”, misioni parësor i të cilëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kapja e personave të kërkuar nga drejtësia, tregon atë çka ka ndodhur në pragun e shtëpisë, ku banonte ai që, në fakt, ishte me të vërtetë Marjan Rroku, i cili, që prej vitit 2001, kishte humbur gjurmët në Shqipëri, pasi kishte kryer një vrasje të dyfishtë. Rrëfimi i tij është bërë për gazetën amerikane “Riçmond Tajms Dispeç”.

Motra e viktimës
Sipas tij, kapja e një të shumëkërkuari nga Interpoli ishte suksesi më i madh, që kishte arritur në karrierën 22-vjeçare në trupat e marshallëve të SHBA. Për më tepër, e kishte ndjerë veten të lehtësuar edhe për një shkak tjetër, i deklaron ai më tej gazetës. Gjatë hetimeve, ai kishte takuar një qytetare shqiptare, me banim në SHBA, e cila quhej Ornela Canaj. Ornela ishte e bija e njerës prej viktimave të Rrokut dhe motra e viktimës së dytë.

Ajo i kishte deklaruar atij se më 8 shtator të vitit 2005 kishte parë Marjan Rrokun, me syze të errëta dhe me kapele, jo shumë larg saj, të hipte në një tren. Ngjarja kishte ndodhur në stacionin e metrosë në King Strit, të qytetit Aleksandria, në shtetin Virxhinia. Për t’u siguruar, Ornela kishte guxuar ta ndiqte, madje të ulej në të njejtin vagon me të, disa stola larg. Ishte e pabesueshme, i kishte thënë ajo më tej marshallit Konëlli: ky person kërkohet në të gjithë botën, shumica besojnë se jeton në Shqipëri, por ai qendron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ornela tha se besonte që ai duhej ta kishte parë, megjithëse nuk i dha asnjë shenjë të tillë.

Nga ai moment, jeta e saj ishte sërish në rrezik. Kërcënimi, edhe pas vrasjes së nënës dhe motrës së saj në Tiranë, në vitin 2001, nga pistoleta e Rrokut, kishte ardhur nga shumë drejtime, nga të afërm apo miq të ish-shikasit: mos dëshmoni, se jeni të vdekur! Pas kësaj, Ornela dhe motra e saj më e vogël Desilda ishin larguar nga Shqipëria drejt dy vendeve të ndryshme.Në SHBA ajo e kishte ndjerë veten të sigurt, jashtë çdo rreziku. Kjo, deri në ditën kur pa vrasësin, që tashmë ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri, të qarkullonte i pashqetësuar në Amerikë.

Arrestimi i Rrokut
Më 14 shtator të vitit 2005, kur policia trokiti në derën e tij, Rroku, ndoshta, kishte të drejtë të mos shqetësohej. Krimi që kishte kryer kishte ndodhur rreth një dekadë më parë dhe ai kishte mundur të fshihte mirë gjurmët, falë një identiteti të rremë. Ishte martuar, kishte një djalë, kishte krijuar një biznes të vetin dhe njerëzit e njihnin si “Toni”, ose Jeton Mirakaj. Konëlli i punoi një rreng: me një foto të një të kërkuari tjetër në dorë, pasi trokiti në derë, i kërkoi në se mund ta ndihmonte ta identifikonte këtë njeri.

Marjani, pa dyshuar për asgjë, u afrua të shihte foton. Agjentët i hodhën menjëherë prangat. Nga apartamenti i katit të parë në lagjen Kuins të Nju Jorkut, gruaja e tij doli me vrap, duke thirrur: “ Toni, ç’ke bërë?” Dukej që nuk dinte asgjë lidhur me jetën e mëparshme të të shoqit, të kaluarën e dhunshme të tij. Sipas Konëllit, të gjithë hynë sërish në shtëpi dhe ai filloi ta pyesë Rrokun gjerë e gjatë, por ai nuk lëvizte nga e tija: ishte nënshtetas slloven, Jeton Mirakaj.

Por, ndryshe nga më parë, po kullonte në djersë. Nuk kishte më dyshim. Personin e parë që mori në telefon ishte Ornela Canaj, me banim në pjesën veriore të shtetit Virxhinia, e cila, sipas tij, u shokua krejtësisht nga e papritura, natyrisht, dhe nga gëzimi. Që nga ai moment, Marjan Rroku ndodhet në burg në SHBA, duke ndjekur hapat e fundit të një procesi apeli kundër ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, që duket se nuk do të ketë sukses, sipas gazetës amerikane.

Vrasja e dyfishtë që shokoi Tiranën
 Në 2001-shin Marjan Rroku qëlloi me pistoletë për vdekje të dashurën 16-vjeçare Alda Canaj dhe të ëmën e saj, Mbarimen. Familjarët, pas ankesave të vajzës për bezdisje të shpeshta, madje edhe me kërcënim arme, kishin ardhur me banim në kryeqytet, ku Alda ishte nxënëse në vitin e parë të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja. Alda dhe motra Ornela e kishin njohur Marjanin gjatë studimeve biblike fetare, por më pas ai kishte treguar anën e tij të dhunshme. Një pasdite, kur ai ka tentuar të marrë për një kafe Aldën, e ëma ka debatuar keq me të. Rroku kishte nxjerrë pistoletën dhe, pavarësisht lutjeve të nënës që të vriste vetëm atë, i ekzekutoi të dyja.


Shkrimi u publikua sot (14.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)