Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina prej gati një muaji po pret miratimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth për furnizimin me raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe NASAMS. Deklarata vjen në një kohë kur Rusia ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile të Ukrainës, ndërsa Kievi kërkon përshpejtimin e dërgesave përpara dimrit.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Zelensky bëri të ditur se ka udhëzuar ekipin e tij ta ngrejë sërish këtë çështje me palën amerikane. Sipas tij, vonesat në furnizimin me raketa po shtojnë shqetësimet për aftësinë e Ukrainës për t'u mbrojtur nga sulmet ruse.

“Veçanërisht, prej gati një muaji po presim që zoti Hegseth të miratojë raketat për sistemet Patriot dhe NASAMS. Kam udhëzuar ekipin tonë që ta ngrejë sërish këtë çështje me palën amerikane.”- ka shprehur Zelensky.

Javën e kaluar sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio pranoi se një pjesë e raketave interceptuese mund të mos ishte dorëzuar, por theksoi se vonesa nuk kishte arsye politike. Furnizimet bëhen përmes programit të NATO-s, të njohur si PURL, në kuadër të të cilit aleatët blejnë armatime për Ukrainën.

Ndërkohë, tensionet mes Kievit dhe Uashingtonit janë shtuar edhe për shkak të problemeve me shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës dhe kufizimeve të raportuara në shërbimin ushtarak Starlink. Sipas Kievit, këto probleme kanë ndikuar në operacionet ushtarake dhe në mbrojtjen ajrore.

Reuters ka raportuar se urdhri për kufizimin e shërbimit Starshield ka ardhur nga brenda Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, Elon Musk dhe zyrtarë amerikanë kanë deklaruar publikisht se vendimet për kufizimet e Starlink dhe Starshield mund të jenë marrë nga pala tjetër.