Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar një ditë më parë ashpër Volodymyr Zelenskyn, duke e akuzuar se nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje paqeje me Rusinë dhe duke i cilësuar sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës si “një turp”.

Trump deklaroi gjithashtu se Zelensky është “më i vështirë për t’u trajtuar” sesa presidenti rus Vladimir Putin.

Sot, Zelensky iu përgjigj kritikave të Trumpit duke deklaruar se po mbron interesat e Ukrainës dhe se nuk mund të pranojë marrëveshje që mund të favorizojnë Moskën, raporton BBC.

“Nëse nuk i mbroj unë këto interesa, kush tjetër do ta bëjë?”, u shpreh presidenti ukrainas gjatë samitit të Bashkimit Evropian në Bruksel. Zelensky kundërshtoi gjithashtu marrëveshjen amerikane për importin e naftës dizel nga Rusia, duke paralajmëruar se ajo mund të pasohet nga një marrëveshje për gazin rus.

Gjatë samitit, presidenti ukrainas kërkoi edhe mbështetje financiare nga Evropa, duke deklaruar se Ukrainës i nevojiten të paktën 70 miliardë euro nga BE-ja për mbrojtjen dhe armatimet vitin e ardhshëm.