SHBA mbështesin pezullimin e patentave të vaksinave kundër koronavirusit

Presidenti Joe Biden të mërkurën shprehu mbështetjen e tij për pezullimin e patentës për vaksinat kundër COVID-19, duke reaguar ndaj presionit në rritje nga ligjvënës demokratë dhe më shumë se 100 vende të tjera, por duke zemëruar kompanitë farmaceutike.

Presidenti Biden shprehu mbështetjen e tij për një pezullim të përkohshëm - një përmbysje e dukshme e qëndrimit të mëparshëm amerikan- pas një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, pasuar menjëherë nga një deklaratë zyrtare nga negociatorja e tij kryesore e tregtisë, Katherine Tai.

"Kemi të bëjmë me një krizë globale shëndetësore dhe rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë COVID-19 kërkojnë masa të jashtëzakonshme", tha zonja Tai në një deklaratë, disa orë pasi tha në një aktivitet të organizuar nga gazeta Financial Times: "Koha është thelbësore".

Aksionet e një numër kompanish farmaceutike që prodhojnë vaksina kundër COVID-19 ranë pas njoftimit. Dy nga prodhuesit më të mëdhenj të vaksinave janë kompanitë amerikane, Moderna Inc dhe Pfizer Inc.

Masa e zotit Biden u pasua me vlerësime pozitive nga kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili e quajti atë një "MOMENT MONUMENTAL NË LUFTËN KUNDËR COVID-19" në Twitter.

Por grupi më i madh lobist i industrisë farmaceutike paralajmëroi se hapi i pashmenbullt i zotit Biden do të minonte përgjigjen e kompanive ndaj pandemisë dhe do të kompromentonte sigurinë e vaksinave.

Presidenti Biden, i cili mbështeti pezullimin e patentave gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020, e ka bërë betejën me koronavirusin një përparësi kryesore të administratës së tij. Përshpejtimi i vaksinimeve në Shtetet e Bashkuara ka çuar në një rënie të numrit të infektimeve dhe vdekjeve.

Presidenti demokrat, i cili bëri fushatë me premtimin për t'u ri-angazhuar me botën pas katër vjet marrëdhëniesh të tensionuara mes ish-Presidentit Donald Trump dhe aleatëve të Shteteve të Bashkuara, ka qenë nën presion në rritje për të ndarë vaksinat dhe teknologjinë e prodhimit të tyre me botën.

Vendimi i presidentit pason krizën që po kalon prej ditësh India, e cila përfaqëson 46% të rasteve të reja me COVID-19 të regjistruara në të gjithë botën javën e kaluar. Ka gjithashtu shenja se vatra të infektimit akut po përhapen në Nepal, Sri Lanka dhe vende të tjera fqinje.

Negociatat Kërkojnë Kohë

Deklarata e së mërkurës hapi rrugën për negociatat që mund të zgjasin për muaj me radhë për të hartuar një plan specifik të pezullimit të patentave. Vendimet e OBT-së kërkojnë një konsensus të të gjithë 164 vendeve anëtare.

Zonja Tai tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në negociata të bazuara në rregulloret e OBT-së për të realizuar pezullimin e mbrojtjeve ligjore që ofron e drejta e autorit. Ajo paralajmëroi që këto diskutime do të merrnin kohë.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera bllokuan më parë negociatat në OBT rreth një propozimi për pezullimin e patentave të propozuar nga India dhe Afrika e Jugut që synonte të ndihmonte vendet në zhvillim të prodhonin vaksina kundër COVID-19 duke përdorur pronën intelektuale të kompanive farmaceutike.

Zonja Tai tha: "Administrata beson fuqimisht në mbrojtjen e pronësisë intelektuale por, me qëllim që t’i japim fund kësaj pandemie, mbështes pezullimin e patentave për vaksinat kundër COVID-19".

Një person me dijeni mbi konsultimet amerikane për këtë çështje tha se vendimi i së mërkurës i jep mundësi Uashingtonit të veprojë në përgjigje të kërkesave të elementëve të majtë dhe presionit të vendeve në zhvillim, ndërsa përdor negociatat e OBT-së për të ngushtuar përmasat e masës së pezullimit. Meqenëse negociatat do të marrin kohë, vendimi i ofron administratës kohë për të rritur rezervat me vaksina përmes metodave ekzistuese.

Dr. Amesh Adalja, studiues në Qendrën për Sigurinë Shëndetësore në Universitetin Johns Hopkins thotë se pezullimi i patentës faktikisht është “shpronësim i kompanive farmaceutike pasi po u merret një shpikje që e realizuan përmes kërkimeve shkencore e investimeve, gjë që në fakt bëri të mundur zhvillimin e vaksinës”.

Por ata që mbështesin pezullimin e patentave thonë se kompanitë farmaceutike pësojnë humbje të vogla sepse kjo është një masë e përkohshme dhe se kompanitë do të vazhdojnë të shesin shpikjen e tyre në vitet në vazhdim kur të prodhohen dozat pasuese kundër COVID-19./ VOA

J.GJ./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Lëvizte me kanabis në makinë gati për shitje, në pranga 22 vjeçari

Durrës/ Lëvizte me kanabis në makinë gati për shitje, në pranga 22 vjeçari