TIRANE - Partneri ynë strategjik, SHBA kërkon stabilitet dhe vijimësi në strukturat e trajnuara të luftës kundër krimit të organizuar, elementëve të terrorit dhe në organet e sigurisë të trajnuara nga strukturat e posaçme të BE, SHBA e partnerëve tjerë strategjikë. Një kërkesë të tillë e ka bërë vetë ambasadori amerikan në Tiranë, Alexandër Arvizu, i cili në krye të një grupi shumë të zgjeruar të ambasadës së SHBA në Tiranë është takuar me ministrin i ri të të Brendshëm, që pritet të marrë detyrën në shtator, Sajmir Tahiri.

Burime të besueshme brenda ambasadës amerikane në Tiranë saktësojnë se në mënyrë konkrete ambasadori Arvizu, i cili ka qënë i shoqëruar një zyrtarë të sigurisë së zyrës diplomatike në Tiranë, ka kërkuar që pjesa më e specializuar e ekspertëve të luftës kundër krimit, luftës kundër terrorizmit, luftës kundër trafiqeve të qenieve njerëzore, emigrantëve dhe kryesisht të drogës, lendëve bërthamore, por dhe Interpoli apo të vendosur në sistemin e përgjimit për evidentimin dhe parandalimin e akteve terroriste, që janë specializuar nga PAMECA, INCITAP por dhe në qendrat e specializuara në SHBA, të cilët janë shumë shumë rreth 50 emra të tillë, të mos preket nga reforma strukturore e qeverisë së re për të ruajtur vazhdimësinë e bashkëpunimit mes strukturave të qeverisë së re e të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Mësohet se kontigjenti mbi të cilin është vënë më shumë theksi për të mos qënë pjesë e reformës në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit është ai i ekspertëve të antiterrorit, por dhe të luftës kundër krimit të organizuar, për të cilët është shpenzuar shumë nga partnerët tanë strategjikë për t’u trajnuar dhe njëherësh kanë mbajtur gjatë kësaj kohë peshën kryesore të pjesës së specializuar të luftës kundër fenomenëve. Të cilët nuk duhet të preken dhe përbëjnë dhe kontigjentin më profesional të policisë dhe të strukturave të luftës kundër krimit, të papërzier në pjesën politikë dhe me një përvojë të gjatë në përballjen me krimin e organizuar, trafikun e drogës, qenieve njerëzore dhe krimit të sofistikuar, nga ai kibernetik e deri tek krimi i “jakave të bardha” e lufta kundër krimit ekonomik e korrupsionit.

Mësohet se nga përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Tiranë është kërkuar me insistim që ky kontigjent ekspertësh jo vetëm të ruhet i pacënuar nga reformat por dhe të kenë mbështetjen maksimale në detyrën e tyre të vështirë. Mësohet se kontigjenti prej afro 50 ekspertësh në Policinë e Shtetit dhe në Ministrinë e Brendshme që është kërkuar të mos lëvizin nga detyra që kanë për shkak të trajnimeve të njëpasnjëshme dhe të shpeshta në BE dhe SHBA, nuk janë pjesë politike e drejtimi, madje pjesa më e madhe e tyre nuk ka post drejtues, por janë pjesa e padukshme e këtij dikasteri dhe strukturë e luftës kundër krimit, me lidhje direkte me partnerët tanë ndërkombëtarë që ndihmojnë Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar. Mësohet se është rënë dakord dhe pritet thellimi i bashkëpunimit.
 
ÇFARË KËRKOI AMBASADORI I SHBA NGA MINISTRI I BRENDSHËM
 
■ Të mos preken ekspertët e trajnuar nga strukturat e partnerëve ndërkombëtarë të BE dhe SHBA për luftën kundër terrorit.
 
■ Të mos preken ekspertët e trajnuar nga ICITAP, PAMECA etj në Shqipëri por dhe në vendet respektive të partnerëve tanë evropianë dhe në SHBA të specializuar për luftën kundër krimit të organizuar.
 
■ Të mos preken ekspertët kryesorë të trajnuar nga partnerët tanë strategjikë për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, drogës dhe lëndëve bërthamore.
 
■ Të mos preken nga reforma ekspertët kryesorë të trajnuar dhe të spoecializuar për luftën kundër krimit kibernitik e krimit të sofistikuar.
 
■ Të mos preken ekspertët e specializuar për krimin e ekonomik, pra të “jakave të bardha”, kundër korrupsionit dhe elementëve të tjerë të krimit.
 
■ Kontigjenti i ekspertëve të trajnuar nga partnerët tanë strategjikë për luftën kundër krimit është 50 vetë, kryesisht jo drejtues dhe të paprekur nga politika.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)