Shumë banesa në Gjirokastër janë përmbytur nga vërshimi i ujërave. Por më e dëmtuara është një shtëpi një katëshe në fshatin Arshi Lengo pjesë e Njësisë Administrative Antigone.

Nga kodra përbri banesës, u dyndën inerte ranore e shtufore, aq sa në një përllogaritje të specialistëve, besohet se në 100 metër katrorë hapësirë që ka kjo banesë, të jenë dyndur 50 metër kub rërë e baltë së bashku pa llogaritur ujin.

E zonja e shtëpisë, Burrbuqe Çela mundohet që të heqë ujin dhe baltën nga shtëpia e saj. Dëmet janë të pallogaritshme pasi të gjitha orenditë shtëpiake i kanë dalë jashtë funksionit. 

“Ne jemi të larguar dhe thanë që ra shumë shi. Në mëngjes na lajmëruan, na thane që ra shumë shi. Erdhëm, hapëm derën e jashtme dhe shtëpia ishte mbushur me ujë, baltë dhe rërë. Kishin ardhur gutrët nga ana e malit dhe kishin thyer dritaret, kishin hyrë në shtëpi. I lutemi shumë kryeministrit Edi Rama, deputetëve, Bashkisë së Gjirokastrës, jetojmë në Arshi Lengo, këtë shtëpi e kemi bërë me gjak, edhe me djersë. Në shtëpi brenda nuk ka asgjëm janë shkatërruar të gjitha. Nuk po heqim dot baltën dhe rërën nga shtëpia. Nëse vazhdon të bjerë shi, guri në mal do bjerë në shtëpi. Shtëpia është e shkatërruar. Kemi 3 ditë, nuk hiqet balta, të na ndihmojë shteti. Nuk ka ngelur asgjë. Kemi punuar në Greqi dhe ndërtuam shtëpinë me djersë. Nuk ka ngelur asgjë, dëmi është shumë i madh.", tha ajo.

Vëllai i saj, Sokrat Kanushi deklaroi se nuk i ka ardhur askush në ndihmë.

“Shtëpia është jashtë përdorimit. Njerëzit i ka seleksionuar, në çdo shtëpi mund të kenë vajtur, këtu ka ardhur vetëm Ylli Muho. Ka vënë Duart në kokë, qau nga shpirti, ka qenë kryer i komunës. Tha që do na dërgojnë të na vijnë në ndihmë. As skrep nuk kanë dërguar, neglizhencë. Shtëpia rrezikohet nga gurët nga mali.”, u shpreh ai.

Deri më tani vlerësohen se janë 10 banesa që paraqesin probleme dhe që janë të braktisura nga bujtësit e tyre në territorin e Qarkut të Gjirokastrës për shkak të gjendjes fizike dhe rrezikshmërisë që paraqesin pasi ishin objekt i goditjes nga vërshimi i ujërave dhe baltës.


Lajmi kryesor:

Përmbytjet/ Tërhiqen lumenjtë, nisin vlerësimet në Durrës, 1453 shtëpi me dëme! Në fshatrat buzë Vjosës shtëpitë në baltë