Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit bëri të ditur se në Doha ka nisur takimi mes të dërguarve të Shteteve të Bashkuara, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, me ndërmjetësit e Katarit. Lajmin e raportoi Al Jazeera. Sipas zëdhënësit, aktualisht nuk janë parashikuar takime të drejtpërdrejta mes delegacionit amerikan dhe zyrtarëve iranianë.
Ndërkohë Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Arib Abadi, deklaroi se një delegacion ekspertësh nga Teherani do të qëndrojë në Katar gjatë dy ditëve të ardhshme, por theksoi se misioni i tij nuk ka për qëllim takime me përfaqësuesit amerikanë.
Ai shtoi se është shënuar përparim në bisedimet mes Iranit dhe Omanit lidhur me tarifat e kalimit në Ngushticën e Hormuzit. Më herët, ai kishte deklaruar se mes dy vendeve janë arritur mirëkuptime për këtë çështje.
E marta ngriti pikëpyetje në lidhje me një takim të mundshëm mes Uashingtonit dhe Teheranit në Doha pasi në distanca shba dhe Irani kundërshtuan njëri-tjetrin në lidhje me zhvillimin e një takimi të mundshëm.
Ministria e Jashtme e Iranit tha këtë të martë nëpërmjet zëdhënësit të saj Esmail Baghaei se nuk do të kishte asnjë takim negociues me palën amerikane në asnjë nivel gjatë ditëve në vijim.
Presidenti amerikan Donald Trump këmbënguli gjatë të hënës në mbrëmje se një takim do të zhvillohej dhe si ai mund të rezultonte i suksesshëm sa i takon çështjes nukleare të iranit.
“Do të ketë një takim në Doha për këtë çështje dhe delegacioni po shkon në Katar. Do të shohim se si do të shkojë. Por në këtë aspekt po ecim shumë mirë. Takimi në Doha mund të jetë i rëndësishëm, por mund edhe të mos jetë. Do ta shohim. Ushtarakisht po fitojmë. Do të thosha se fitorja është pothuajse e arritur në aspektin ushtarak. Në fund të fundit, çështja është shumë e thjeshtë: çnuklearizimi i Iranit”, tha Trump.
Katari ndërkohë njoftoi gjashtë miliardë dollarët e aseteve iraniane të ngrira në Katar, që pritet të zhbllokohen në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ende nuk janë transferuar në Teheran.
Lajmi vjen një ditë pasi presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se marrëveshja e fundit me SHBA-në përbën "një arritje të rëndësishme dhe një fitore të madhe për popullin iranian", pasi "janë hequr sanksionet ndaj sektorëve të naftës dhe petrokimisë" dhe "gjashtë miliardë dollarë nga 12 miliardë dollarët e fondeve tona të ngrira në Katar do të zhbllokohen dhe do t'i kthehen vendit".
Komente





