SHBA – Obama bën thirrje për qetësim pas vendimit të gjykatës në Ferguson

UASHINGTON - Presidenti amerikan, Barack Obama, bëri dje në mbrëmje nga Shtëpia e Bardhë një thirrje për qetësim pas vendimit të jurisë popullore për të mos dënuar një polic të bardhë përgjegjës për vdekjen e një të riu të zi në fillim të gushtit në Ferguson (Misuri).
"Ne jemi një komb i themeluar mbi respektin e ligjit", deklaroi Obama gjatë një deklarate të shkurtër pas shpalljes së vendimit të jurisë në Ferguson ku policia lëshoi gaz lotsjellës për të shpërndarë manifestuesit.
"Unë bashkohem me prindërit e Michael Brown (i riu që u vra) për t'i kërkuar të gjithë atyre që kontestojnë këtë vendim, që ta bëjnë në mënyrë paqësore", shtoi ai, duke pranuar se zemërimi është një reagim i kuptueshëm.
"I kërkoj gjithashtu forcave të rendit të tregojnë vetpërmbajtje", theksoi ai.
Por më gjerësisht, presidenti amerikan paralajmëroi ndaj përpjekjeve për përhapjen e problemeve të lidhura me racizmin në SHBA.
"Ne duhet të njohim situatën në Ferguson dhe të shohim sfidat e mëdha me të cilat vendi ynë përballet përditë", theksoi ai.
"Në shumë rajone të vendit, ekziston një mosbesim i thellë mes forcave të rendit dhe komuniteteve me ngjyrë, si pasojë e trashëgimisë së diskriminimit racor", theksoi ai.
"Ky nuk është vetëm një problem në Ferguson, por është një problem në të gjithë Amerikën", vazhdoi ai.
"Ne duhet të kuptojmë këto probleme dhe të shohim se si mund të përparojmë. Por kjo nuk bëhet duke hedhur shishe, duke thyer xhamat e makinave dhe sigrisht jo duke u kapur me kë na del para", shtoi presidenti amerikan./ATSH/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?